Tragjedi në Nigeri, 117 viktima nga përmbytjet në pjesën qendrore të vendit

Të paktën 117 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë goditur pjesën qendrore të Nigerisë, njoftuan autoritetet vendase të premten, më 30 maj.

 

Bilanci tragjik u përditësua pasi ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupa të tjerë në zonat e përmbytura.

Reshje të rrëmbyeshme shiu në rajonin e Mokwa, në perëndim të vendit, shkaktuan përmbytje të fuqishme që përfshinë lagje të tëra dhe morën përpara shtëpi bashkë me banorët brenda tyre. Ekipet e emergjencës dhe vullnetarë lokalë janë ende në terren duke kërkuar për të mbijetuar apo trupa të tjerë nën rrënoja.

Autoritetet kishin paralajmëruar për rrezikun e reshjeve të dendura. Shërbimi Meteorologjik i Nigerisë (NiMet) kishte lëshuar alarme për 15 nga 36 shtetet e vendit, duke theksuar rrezikun e përmbytjeve të mundshme.

Përmbytjet janë një fenomen i zakonshëm në Nigeri gjatë stinës së shirave, që zgjat nga maji deri në shtator. Megjithatë, dëmet e shkaktuara këtë vit po marrin përmasa dramatike.

Vetëm në vitin 2024, mbi 1.200 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur, si pasojë e përmbytjeve – një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në vend në dekadat e fundit. Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje për ndihmë urgjente humanitare.

Artikulli paraprakEmigrimi masiv, Ambasada amerikane në Tiranë shpërndan mesazhin e Marco Rubios: Shtysë për trafikimin e qenieve njerëzore, përfitojnë vetëm trafikantët
Artikulli tjetërPërballja me ritme të ndryshme, Shqipëria në punë dhe Serbia në plazh