Tragjedi në Washington/ Avioni me 64 persona në bord përplaset me helikopterin ushtarak, mbi 18 viktima

Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në bord u rrëzua në lumin Potomac pasi u përplas me një helikopter ushtarak mbi kryeqytetin amerikan Washington të mërkurën mbrëma teksa po i afrohej aeroportit Ronald Reagan.

Sipas informacioneve të deritanishme, janë nxjerrë të paktën 18 trupa.

Sipas American Airlines, në bordin e avionit të pasagjerëve ndodheshin 64 persona, 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.

Ndërsa Helikopteri Sikorsky H-60 ​​Black Hawk mbante tre personel ushtarak, tha një zyrtar qeveritar në kushte anonimiteti.

Zyrtari tha se fati i tyre nuk ishte ende i qartë, duke sqaruar se asnjë oficer i lartë nuk ishte në bordin e helikopterit.

Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.

Miq, familjarë dhe të afërm të pasagjerëve u mblodhën në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” duke kërkuar më shumë informacion.

Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara thanë në një deklaratë se mund të “konfirmonin se në incidentin e natës së sotme ishte përfshirë një helikopter i ushtrisë -UH-60- i bazës Fort Belvoir, Virxhinia. Ne po bashkëpunojmë me zyrtarët lokalë dhe do të japim informacion shtesë sapo të jetë e mundur”.

Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë.

Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington tregonin një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale, dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi.

Administrata Federale e Aviacionit të Shteteve të Bashkuara (FAA) tha të mërkurën mbrëma se avioni i PSA Airlines RJ700 u përplas në ajër me një helikopter të ushtrisë amerikane (Black Hawk) Sikorsky H-60, ndërsa po afrohej në aeroportin kombëtar të Uashingtonit Reagan.

Avioni ishte nisur nga qyteti Wichita, i Kensasit, sipas FAA-së. Policia tha se agjenci të shumta janë përfshirë në një operacion kërkim- shpëtimi në lumin Potomak.Aeroporti njoftoi të mërkurën se ishin ndëprerë të gjitha fluturimet dhe se personeli i urgjencës iu përgjigj një aksidenti ajror.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikëqyrte situatën.

“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, shtoi ai. “Faleminderit të gjithë ekipeve të emergjenvave për punën e jashtëzakonshme që po bëhet. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur”.

Në një postim në mediat sociale, kompania “American Airlines” tha se ishte në dijeni të njoftimeve se një prej avionëve të saj ishte përfshirë në incident dhe se do të jepte më shumë hollësi sapo të ishte e mundur.

Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 5 të pasdites, me orën lokale, të premten.

Artikulli paraprakAnçeloti i sinqertë: Nuk na pëlqen të luajmë kundër Mançester Sitit, as kjo formulë me shumë ndeshje
Artikulli tjetërErvis Iljazaj: Pa paratë dhe mbështetjen amerikane, SPAK bie në duart e qeverisë