Katër urdhër-arreste janë lëshuar sot nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut, lidhur me zjarrin vdekjeprurës që shpërtheu mbrëmë në një lokal nate në Shkup, ku humbën jetën 59 të rinj, ndërkohë që rreth 155 kanë mbetur të lënduar me plagë të rënda.
Zjarri shpërtheu në Pulse në qytetin lindor të Koçanit rreth orës 02:35 të mëngjesit të së dielës.
Zjarri shpërtheu, teksa grupi muzikor DNK po performonte. Tridhjetë e nëntë nga viktimat janë identifikuar deri më tani, tha ministri i brendshëm Pançe Toshkovski në një deklaratë për mediat sot.
Sipas raportimeve lokale, dyshohet se zjarri shpërtheu si pasojë e fishekzjarrëve që ndezën mbrëmë brenda në lokal.
Disa nga të lënduarit janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit.
Transmetuesi MRT raporton se 27 persona janë duke u trajtuar me djegie të rënda në Spitalin e Qytetit të Shkupit, ndërsa 23 të tjerë në Qendrën Klinike.
Zyra e Prokurorit Publik të Maqedonisë së Veriut ka thënë se një ekip prokurorësh janë duke kryer hetime.
“Në këtë moment nuk mund të them saktë se si ka nisur zjarri. Jemi duke lëshuar urdhra për të kuptuar përgjegjësinë dhe njerëzit që mund të jenë përfshirë edhe që kanë përgjegjësi. Janë disa persona në Ministrinë e Brendshme që janë duke dhënë deklarata. Nuk mund të themi sa njerëz janë marrë në pyetje”, ka thënë kryeprokurori Ljupço Kocevski.
Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski ka thënë përmes një postimi në Facebook se Qeveria është “plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u përballur me pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë”.
Ai ka thënë e diela është “ditë e vështirë dhe shumë e rëndë” për shtetin, i cili ka humbur kaq shumë të rinj.
Reagimet për incidentin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjarëve për incidentin, përmes një postimi në X – dikur Twitter – dhe ka thënë se “humbja e kaq shumë të rinjve është tragjedi përtej fjalëve”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është thellësisht i mërzitur nga lajmi për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut.
“U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre, si dhe liderëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe gjithë shtetit në këtë periudhë të rëndë. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, ka thënë Kurti në X.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se është thellësisht e mërzitur nga lajmi për tragjedinë.
“Ngushëllime të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. BE-ja ndan dhimbjen me njerëzit e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kallas në X.
Ambasdorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka thënë se është zemërthyer pas lajmit për viktimat.
“Humbja e kaq shume të rinjve në një komunitet është tragjedi e madhe. I kam ofruar ndihmë kryeministrit dhe të gjitha resurset, si dhe lutem për ata që janë në vuajtje sot”, ka thënë Aggeler përmes një postimi në X.
Edhe Ambasada amerikane në Kosovë e ka përshkruar incidentin si tragjik.
Ngushëllime kanë shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.