Tragjedia me dy viktima në Lushnjë/ Nisin hetimet për tre akuza, deputeti socialist Bujar Çela pritet të merret në pyetje për shpërthimin

Kur kanë kaluar tri ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi mbarë vendin dhe opinionin publik, prokuroria ende nuk ka dalë në një konkluzion për ngjarjen.

Ndonëse humbën jetën dy persona dhe u plagosën 7 të tjerë, prokuroria nuk ka nxjerrë motivin që solli shpërthimin, që rrezikoi jetën e dhjetëra personave të tjerë, përveç babë e bir që ndërruan jetë, teksa gjendeshin në vinçin që po dërgonte në katet e larta të godinës në ndërtim bombola oksigjeni.

Shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në ambientet e një magazine në Lushnjë ka sjellë nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Fierit. Hetimet janë duke u kryer në tri drejtime të ndryshme, si “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Shkeljes së kondicioneve Urbanistike” pasi subjekti kishte dalë nga konturet e lejes së ndërtimit të miratuar nga Bashkia Lushnjë dhe “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia”.

Prokurorët kanë urdhëruar kryerjen e disa ekspertizave për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërsa nga ana e policisë ditën e djeshme janë referuar materialet organit të akuzës. Në pyetje pritet të merren dhe personat e plagosur, përfshirë dhe deputeti i Partisë Socialiste në Lushnjë, Bujar Çela.

Dy të vdekur e 7 të plagosur, është bilanci i shpërthimit të fuqishëm pasditen e 1 marsit në magazinën në ndërtim, që thuhet se është në pronësi të deputetit Bujar Çela brenda zonës industriale në Lushnjë. Babë e bir, Roland, 51 vjeç dhe Elidon Hoxha 23 vjeç, që punonin me vinçin e tyre humbën jetën pas shpërthimit të një bombole oksigjeni që po transportonin për në katet e sipërme.

GJENDJA SHËNDETËSORE E TË PLAGOSURVE

Tri ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Lushnjën, ku pas një shpërthimi në një kapanon në ndërtim humbën jetën dy persona dhe u plagosën 7 të tjerë, zbardhen detaje nga gjendja shëndetësore e deputetit të PS-së, Bujar Çela. Ky i fundit ishte mes të plagosurve, nga shpërthimi në këtë subjekt që ishte në pronësi të tij.

Mësohet se Çela ndodhet në spitalin e Traumës, në gjendje të mirë shëndetësore. Ai iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale ditën e premte, kur ndodhi edhe ngjarja. Sakaq, në kujdes intensiv është i plagosuri Sokol Lumi, ndërsa të tjerët janë në gjendje më të mirë.

Në spitalin e Lushnjës, sipas të dhënave të policisë aktualisht ndodhet Sajmir Korreshi, i cili ka cifla nga shpërthimi në duar. Kanë marrë mjekim dhe janë larguar për në banesë Ilia Sota, Lunedi Golemi, Ervis Sharka si dhe Ergys Gorovelli.

Prokuroria e Fierit është duke hetuar ngjarjen e rëndë në Lushnje, ku nga shpërthimi në një biznes humbën jetën babë e bir, u plagosën disa të tjerë, mes tyre edhe deputeti i PS-së Bujar Çela, si dhe u dëmtuan dhjetëra banesa e biznese. Prokurorët kanë urdhëruar kryerjen e disa ekspertizave për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërsa nga ana e policisë këtë të diele janë referuar materialet organit të akuzës.

Shkatërrimit të pronës, shkelje të rregullave të mbrojtjes në punës, si edhe shkelja e lejes subjektit për të kryer ndërtime në atë zonë, janë ato që po verifikohen nga policia dhe prokuroria. Hetuesit kanë marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë që janë ndodhur në biznes si dhe të tjerë që kanë parë shpërthimin, të cilët kanë treguar ngjarjen dhe veprimet që kanë kryer viktimat para shpërthimit.

Janë sekuestruar dhe janë duke u këqyrur edhe dhjetëra pamje të kamerave të sigurisë së objekteve afër vendit të ngjarjes. Burime nga Prokuroria e Fierit kanë bërë me dije se veprimet po vijojnë ende në terren, ndërsa janë në pritje që edhe ekspertet të thonë fjalën e tyre në lidhje me shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë. Në pyetje pritet të merret edhe pronari i biznesit, deputetit i PS Bujar Çela, i cili vijon të qëndrojë në Spitalin e Traumës ku po merr ndihmën mjekësore.

Ndërsa, kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa tha se është përgatitur grupi i ekspertëve dhe ditën e hënë do të fillojë verifikimi i të gjitha banesave dhe bizneseve të cilët janë dëmtuar nga shpërthimi. 2 të vdekur e 7 të plagosur është bilanci i shpërthimit të fuqishëm (1 mars) në magazinën në ndërtim që thuhet se është e deputetit Bujar Çela brenda zonës industriale në Lushnjë. Babë e bir, Roland, 51 vjeç dhe Elidon Hoxha 23 vjeç, që punonin me vinçin e tyre humbën jetën pas shpërthimit të një bombole oksigjeni që po transportonin.

Exit mobile version