Familjarët e 4 banesave që rrezikojnë të shemben pranë Shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë janë shfaqur në një gjendje tepër të rënduar mëngjesin e sotëm.
Disa prej fëmijëve kanë tentuar që të hidhen nga çatia e banesës, ndërsa familjarët iu kanë vënë flakën disa mbeturinave, që rrezikojnë të përfshijnë dhe objektin. Policia ka rrëmbyer një fëmijë dhe tenton ta fusë në makinën e policisë për ta dërguar në komisariat. Situata është tensionuar dhe banorët janë përleshur me policinë.
Banorët e 4 familjeve janë shtrirë në rrugë, dhe kanë humbur ndjenjat për shkak të situatës tejet të tensionuar. Një prej banoreve është shtatzënë dhe ka pasur kontraktime gjatë momenteve të tensionit.
Ata iu kanë dalë para makinave dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë shembjen e banesës së tyre, të cilën e kanë me dokumente të rregullta.
‘’Është investimi i një jete, ku të shkojmë ne? Oligarkë, ku të shkojmë”, janë disa prej thirrjeve të banorëve. Ndërkohë që ambulanca ka mbërritur me disa minuta vonesë, po banorët insistojnë që të mos largohen prej aty.
“Po e kemi me djersë moj, jemi të rregullt me taksa me të gjitha,. Ku është qeveria moj? Ku ta çoj unë fëmijën tim? Të na japë përgjigjen shteti, të na japë përgjigjen Aleksandër Gavoçi”, shprehen mes britmave banorët.
Kujtojmë se banorët deklarojnë se e kanë blerë këtë pronë që në vitin 1939 nga shteti, kohë edhe kur i është sekuestruar prona nga qeveria e kohës nga ish-pronarët.
Ndërkohë që ish-pronari Aleksandër Gavoçi pretendon se e ka fituar në gjyq këtë pronë, me vendim të gjykatës së shkallës së parë. Janë rreth 15 banorë që preken nga kjo situatë.