Danimarka e Kasper Hjulmand tregoi ndaj Anglisë se nuk kishte shkuar rastisht në fazën gjysmëfinale të Euro 2020 duke u konfirmuar edhe përballë tre luanëve në Wembley si surpriza më e bukur e këtij kompeticioni.
Një penallti thuajse inekzistente dhe që për më tepër në momentin që Sterling po futej në zonë në fushë ishin dy topa, bëri që të shpërthejnë polemikat në mediat ndërkombëtare për vendimin e gjyqtarit holandez Makkelie pas konsultimit edhe me sistemin VAR. Për këtë episod nuk mund sesi të mos jetë i irrituar edhe trajneri i Danimarkës Kasper Hjulmand.
“Jemi shumë të zhgënjyer, është e vështirë ta përshkruaj me fjalë sesi ndihem. Ndoshta do ta bëj gjatë ditëve në vijim. Ajo që iu dha Anglisë nuk mund të ishte penallti, jemi shumë të mërzitur për atë episod. Normalisht është një zhgënjim i madh që ishim kaq pranë finales dhe u eliminuam, megjithatë rrethana të shumta gjatë ndeshjes treguan se nuk e kemi hedhur ende hapin cilësor. Është diçka fantastike ajo që lojtarët e mi kanë arritur. Ekziston një forcë jashtë normales mes tyre, luajnë në një mënyrë të shkëlqyer. Gjatë gjithë turneut kemi sulmuar, shënuar gola dhe kemi treguar vlerat tona të vërteta, brenda dhe jashtë fushe”.
Tashmë futbollistët danezë duhet të shijojnë pushimet dhe të mendojnë për eliminatoret e Botërorit Katar 2022 teksa ndeshjen e radhës do ta kenë në 1 shtator kundër Skocisë. Hjulman ka besim se skuadra që ai drejton mund të shkojë larg edhe në Kupën e Botës.
“Kemi qëndruar të bashkuar, luftuam deri në minutën e fundit. Për momentin jemi shumë të zhgënjyer. Megjithatë, nuk do të kalojë shumë kohë deri në momentin që të vendosim këtë moment në perspektivë dhe të themi: ‘Në Euro 2020 treguam sesa vlejmë dhe paraqitje të tilla mund t’i përsëritim edhe në Botërorin Katar 2022”.