Trajneri i njohur: Griezmann ngroh stolin te Barça…

Ylli i Atletico Madrid, Antoine Griezmann, ka qenë i lidhur me Barcelonën verën e vitit të kaluar, por Radomir Antic mendon se kjo lëvizje do të ishte e gabuar për francezin. Trajneri 70-vjeçar vuri në dukje rastin e Philippe Coutinho, i cili ka luftuar për të gjetur vend në formacionin bazë të Barcelonës, pas ardhjes së tij nga Liverpool.
Ai mendon se Griezmann do të ballafaqohej me një situatë të ngjashme në “Camp Nou”. Në mendimin e Antic, kampioni i botës me Francën thjesht do të ngrohte stolin, nëse bashkohej me Blaugrana-t. Në vend të kësaj, ai sugjeron një transferim te rivalët e Atletico Madridit, në të njëjtin qytet.
“Real Madridi do të ishte një destinacion më i mirë për Griezmann, ndërsa Barça duhet të kërkojë tjetërkund për përforcime, ndoshta te Manchester City. Nëse ai do të nënshkruante me Barcelonën, do të përfundonte në stol, sepse nuk do të gjente vend në formacionin titullar. Barcelona, sigurisht nuk ka nevojë për Griezmann. Real Madridi, ndoshta pak më shumë”.
I pyetur nëse Griezmann mund ta vijojë karrierën me “Los Blancos”, Antic deklaroi se Zinedine Zidane dhe stafi i tij duhet të marrin në konsideratë të gjitha opsionet për rindërtimin e skuadrës në verë: “Klubi duhet të shesë disa lojtarë dhe të shikojë në treg, për të ndërtuar një projekt të ri.

Real Madridi duhet t’i mbrojë trajnerët e vet, sepse çfarë po ndodh më duket e gabuar”.
Antic është një nga trajnerët e paktë, që ka drejtuar tri skuadra të mëdha në La Liga, dy prej të cilave, Barcelona dhe Atletico Madrid, që do të përballen në “Camp Nou”: “Teorikisht, titulli i La Liga-s është vendosur tashmë. Megjithatë, ky është futboll gjithçka mund të ndodhë. Barça ka më shumë angazhime, ndaj kërkohet përqendrim. Ajo lufton për të fituar edhe Kupën e Mbretit, edhe Ligën e Kampionëve, duhen racionalizuar forcat, sepse është fundi i sezonit, lodhja ndihet.
Unë nuk mendoj se Barça është më mirë se vitin e kaluar, por këtë sezon po fiton më lehtë, falë Messit. Nuk jam pro krahasimit të sezoneve të Messit, por është e qartë se ai po bën diçka, që unë do ta kujtoj përgjithmonë. Golat që shënoi ndaj Betis dhe Espanyol ishin prej gjeniu”.

griezmann barcelona

Artikulli paraprakXhenxhefili, bima që bën mrekulli për shëndetin
Artikulli tjetër70-vjetori i NATO-s, aleanca në funksion të krizave