Trajneri i ri i Realit/ Alonso, nxënësi i talentuar i mësuesve më të mirë

Zhoze Murinjo e paralajmëroi ngjitjen e spanjollit në një intervistë të kohëve të fundit, pasi e kishte Alonson nën komandën e tij gjatë tri sezoneve që ata ishin së bashku te Reali. “Ai u rrit me një baba që ishte edhe lojtar edhe trajner dhe më pas u bë një lojtar i shkëlqyer. Pozicionimi i tij në fushë dhe njohuritë e tij për lojën ishin shumë të larta.

Ai luajti gjithashtu në Spanjë, Angli dhe Gjermani dhe u trajnua nga Guardiola te Bajerni, nga unë dhe Ançeloti te Reali dhe nga Benitez te Liverpuli. Nëse i bashkoni të gjitha këto, Ksabi Alonso ka cilësitë për të qenë një trajner shumë i mirë”, parashikoi trajneri portugez. Dhe në moshën 43- vjeçare, Ksabi Alonso merr përsipër sfidën më të madhe të karrierës së tij të re, si trajner për të drejtuar Realin e Madridit.

Një vit më parë, Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut, dy nga ishklubet e tij, e ndoqën në kërkim të një zëvendësuesi për Jyrgen Klop dhe Tomas Tuhel, përkatësisht. Pavarësisht thirrjeve, Alonso preferoi të priste zërin e Florentino Perezit dhe Madridit, i vetëdijshëm se Ançeloti po i afrohej datës së “skadimit”. Alonso është prezantuar në Valdebebas me misionin e ringjalljes së një projekti që supozohej të ishte fitues pas mbërritjes së Mbape një vit më parë, por që është eklipsuar nga Barcelona e Hansi Flik dhe Lamin Jamal. Madridit i duhet një antidot për të ndaluar rivalin e tij të përjetshëm dhe po i drejtohet Alonsos, i cili është i destinuar të bëhet një nga trajnerët më të mirë të gjeneratës së tij.

Koha e tij e suksesshme si lojtar në La Liga, Premier League dhe Bundesligë, njohuritë e tij të brendshme për Realin dhe përvoja e fituar prej tij nën drejtimin e disa prej trajnerëve kryesorë të dekadave të fundit, janë disa nga faktorët që kanë ndryshuar ekuilibrin e fuqisë që sekretariati teknik të anojë nga Alonso. Ai është menaxhuar nga Rafa Benítez te Liverpuli, Manuel Pelegrini, Murinjo dhe Ançeloti te Reali, Pep Guardiola dhe Ançeloti te Bajerni, Luis Aragones dhe Del Boske te Spanja. Jo keq!

Artikulli paraprakÇfarë duhet të hanë fëmijët? Udhëzimet bazë për një ushqyerje të shëndetshme që nga mosha e hershme
Artikulli tjetërTrump paralajmëron Putinin se po “luan me zjarrin” ndërsa sulmet ndaj Ukrainës vazhdojnë