Për Andryi Shevcenkon nis një epokë e re. Ish-fituesi i Topit të Artë është emëruar zyrtarisht si trajneri i ri i kombëtares së Ukrainës. Lajmi ishte në ajër prej disa kohësh, por tashmë ka ardhur edhe njoftimi zyrtar nga federata ukrainase e futbollit në profilin e saj në Twitter. Kjo do të jetë eksperienca e parë si trajner për ish-sulmuesin e Milanit, i cili ka firmosur një kontratë dy vjeçare dhe opsion rinovimi edhe për 2 vite të tjera me përfaqësuesen e vendit të tij. Shevcenko pason në postin e trajnerit të Ukrainës, 67-vjeçarin Mykhailo Fomenko, i cili zhgënjeu totalisht në Euro 2016-të, me verdheblutë që e mbyllën grupin C në vendin e fundit në kuotën e 0 pikëve.
Ashtu siç edhe pritej pjesë e stafit të Andryi Shevcenkos do të jenë edhe Mauro Tassotti e Andrea Maldera pas prishjes së kontratës me Milanin. Pasi ishte pjesë e stafit teknik si asistent i trajnerit Fomenko për Shevcenkon tashmë përgjegjësitë do të jenë më të mëdha. Objektivi i parë 39-vjeçarit është të kualifikojë Ukrainën në kampionatin Botëror, Rusi 2018. Ndryshime nuk ka vetëm te kombëtarja ukrainase, por edhe te Republika çeke. Federata e futbollit ka emëruar Karel Jarolim si trajnerin e ri të ekipit përfaqësueses. Trajneri aktual i Mlada Boleslav ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Republikën çeke dhe do të nisë punën në gusht. 59-vjeçari Jarolim zëvendëson në këtë post Pavel Vrban, i cili dha dorëheqjen pas Europianit zhgënjyes.
Ndërkohë, Mark Wilmots nuk është më trajneri i Belgjikës. Dy javë pas eliminimit nga Euro 2016, 47-vjeçari është larguar nga posti i trajnerëve të Djajve të Kuq. Presidenti i Federatës Belge të Futbollit, Francois de Keersmaecker bëri të ditur lajmin duke argumentuar vendimin me mos realizimin e objektivit të vendosur përpara fillimit të kompeticionit. Belgjika u eliminua në çerekfinale pasi humbi 3-1 përballë Uellsit, duke shkaktuar një nga surprizat e mëdha të kompeticionit. Wilmots ishte në drejtimin e përfaqësueses belge që prej katër vjetësh, duke e drejtuar skudrën në plot 50 ndeshje.
Gjatë periudhës së tij, Belgjika arriti të kryesonte madje dhe renditjen e FIFA-s, ndërsa para Europianit pozicionohej e dyta në këtë klasifikim. Edhe në Botërorin e Brazilit, Belgjika u eliminua po në çerekfinale, pasi u mund nga Argjentina, por 2 vjet më parë arritja deri në këtë fazë u konsiderua një sukses për belgët, ndërsa në Europian ata vinin me objektivin për të arritur minimalisht gjysmëfinalet, por humbja surprizë me Uellsin bëri që belgët të ktheheshin në shtëpi përpara kohe. Sipas presidentit të Federatës Belge, do të nevojitet pak kohë deri në gjetjen e një trajneri të përshtatshëm për përfaqësuesen.