Trajneri problematik i Monakos

Monako është surpriza më e bukur e çerekfinaleve të Champions-it. Jo vetëm për faktin që arriti të eliminojë Mançester Sitin, por edhe për shkak të lojës spektakolare që dhuron. Një futboll me presing të vazhdueshëm, i dominuar nga forca fizike dhe kualiteti i disa lojtarëve të rinj në moshë. Merita për të këtë skuadër pa diskutim që është e trajnerit Leonardo Zhardim.
42-vjeçari ka një karrierë me shumë ulje ngritje, që kulmon tashmë në krye të Monakos. Ai nuk ka qenë futbollist, por ka investuar gjatë gjithë jetës për t’u bërë trajner, ku gjithsesi nuk ka mundur të evitojë problemet me drejtuesit, pasi shpeshherë është përplasur ashpër me presidentët, duke u shkarkuar në pjesën më të madhe të klubeve që ka drejtuar.
Zhardim ka lindur në Venezuelë nga prindër portugezë. Duke pasur një dashuri të madhe për futbollin, por pa talentin e duhur për ta luajtur vetë, nisi që në moshë të re karrierën si trajner. Saktësisht, kur ishte 22 vjeç ai drejtonte ekipin e të rinjve të Santakruzenses, ndërsa pesë vite më vonë u emërua zëvendëstrajner i skuadrës Kamaço, që militonte në Kategorinë e tretë.
Pas gati tri vitesh në këtë pozicion iu besua edhe drejtimi i pankinës, ku qëndroi për plot pesë edicione me radhë, pa ndonjë sukses për t’u mbajtur mend. Në 2009, ai merr një ofertë nga Beira Mar, në të njëjtin nivel dhe arrin që në edicionin e parë ta ngjisë në Kategorinë e Dytë të Portugalisë, duke e mbyllur në vendin e parë, por aventura nuk i zgjati për shumë kohë, pasi u shkarkua nga detyra në gjysmën e edicionit pasardhës.
Gjithsesi, arritja kishte mjaftuar për t’i bërë një reklamë në arenën elitare dhe në majin e vitit 2011 i vjen oferta, e cila i ndryshoi edhe rrjedhën e karrierës. E kërkon Braga dhe ai bën një punë të jashtëzakonshme, duke arritur të fitojë 13 ndeshje radhazi dhe të sigurojë një pjesëmarrje në Ligën e Europës, pasi u rendit i treti.

Artikulli paraprakReagimet pas shortit
Artikulli tjetërIsh të Përndjekurit: Xhafa ministër vetëm nëse do kalojë mbi trupat tanë