Tramezzani për Izraelin dhe ekipet e moshave

Paolo Tramezzani është njeriu që bën taktikat e De Biasit, bashkëpunëtorët e tij në stafin e kombëtares flasin për një punëtor të palodhur dhe të kujdesshëm për detajet më të vogla. Misioni i tij i radhës është për të përgatitur antiIzraelin për një rezultat pozitiv të kuqezinjve, me Tramezzanin që zbulon se dhe kundërshtarët e radhës kanë pikat e tyre të dobëta.
“Është e qartë se gjithë puna që bëj është e bashkërenduar me Gianin, çojmë përpara këtë punë prej 5 vitesh. Jemi të ndërgjegjshëm që Izraeli është një skuadër e mirë, ka individë të shkëlqyer, një skuadër që di si të pozicionohet në fushë dhe ka të njëjtat pikë si ne pasi i ka merituar. Është një ndeshje që duhet ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme në të gjitha detajet për të kërkuar t’i vëmë në vështirësi në ato aspekte ku ata mund të kenë ndonjë problem më shumë”.
Me një rol shumë të rëndësishëm dhe në punën me ekipet përfaqësuese të moshave, Tramezzani flet për një projekt ambicioz edhe në këtë drejtim që pritet të japë së shpejti rezultate konkrete edhe në kompeticionet përkatëse.
“Unë besoj se gjithë lëvizja e të rinjve në kombëtaret tona po rritet së tepërmi pasi kemi shumë talente të shpërndarë nëpër botë që po i kërkojmë. Falë punës së federatës për t’u përmirësuar si për zbulimin e tyre ashtu dhe perfeksionimin dhe rritjen e trajnerëve. Ka shumë punë për të bërë dhe sigurisht që impenjimi është maksimal. Besojmë shumë në të ardhmen e tyre dhe besojmë se pas ca kohësh mund të marrim edhe ndonjë rezultat të rëndësishëm”, tha ai.
Së fundmi Federata shqiptare e Futbollit nisi seleksionimet e talenteve në Maqedoni, por Tranmezzani flet për një projekt të gjerë në Europë dhe jo vetëm për të siguruar të ardhmen kuqezi.
“Të gjithë lojtarët me origjinë shqiptare me të drejtë po monitorohen dhe po merren në konsideratë. Për të bërë këtë duhet një punë e madhe, një punë në grup dhe në këtë periudhë po përpiqemi për t’u rritur dhe përmirësuar për të qenë prezentë në të gjithë territorin. Nuk është një diskutim i lidhur vetëm me Maqedoninë, por në gjithë Europën dhe madje dhe jashtë saj, punohet në Greqi, Zvicër, Gjermani e vende të tjera që duhen mbajtur në konsideratë për talentet e rinj”, tha ai.

Artikulli paraprakNisin përgatitjet për Izraelin
Artikulli tjetërGoli i Shkëlzen Gashit në “Final Four” në MLS