Tramezzani, synon edhe Bashën te Sion

Lidhja speciale e Shqipërisë me Paolo Tramezzanin vazhdon. Trajneri italian mbetet një prej mbështetësve më të mëdhenj të lojtarëve kuqezi, ndërsa nuk humbet asnjë rast për të shfrytëzuar kualitetin e tyre. Kjo konfirmohet edhe tashmë që Tramezzani ka nisur punën te Sioni, duke përcaktuar disa lojtarë të Kombëtares si objektiva të merkatos. Përveç kapitenit të Pescaras, Ledian Memushaj, të cilin synon me patjetër ta transferojë në Superligën zvicerane, drejtuesi i stolit ka hedhur sytë edhe nga Migjen Basha.
Tramezzani është hedhur në sulm edhe për Migjen Bashën, me synimin që ta marrë nga Bari, aty ku mesfushori luan prej një sezoni. Edhe pse mbetet një prej lojtarëve titullarë të skuadrës, 30-vjeçari nuk cilësohet i pashitshëm nga klubi i Serisë B italiane dhe Sioni synon të përfitojë nga kjo situatë. Prej kualitetit dhe eksperiencës së jashtëzakonshme që Basha garanton, por edhe prej marrëdhënies së mirë që kishin në kohën kur punonin bashkë në përfaqësuesen kuqezi, Tramezzani është gati t’i dorëzojë lojtarit çelësat e mesfushës së Sionit.
Nëse transferimi do të konkretizohej, skuadra zvicerane do të siguronte një përforcim të rëndësishëm për turet kualifikuese të Europa League. Ndërkohë, Paolo Tramezzani do të synonte një tjetër sezon surprizë në Superligën zvicerane, pas mrekullisë së bërë me Luganon ku kishte kontributin dhe mbështetjen e kuqeziut tjetër, Armando Sadiku.

Artikulli paraprakHusaj: Shqipëria, progres në volejboll
Artikulli tjetërBalde drejt Interit