Transaksioni i Donika Prelës, kreu i Prokurorisë kapet në pastrim parash?

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, rrezikon seriozisht karrierën e saj përballë Vetingut, për shkak të një transaksioni të dyshimtë financiar që ka realizuar në vitin 2014, duke arkëtuar plotë 3 milionë lekë të reja me një “goditje” të vetme.
Në Shkurt të vitit 2014, kur Prela ishte prokurore e Njësisë Anti-korrupsion në Prokurorinë e Durrësit, blen një shtëpi me 59.2 m2 në këtë qytet, me vlerë 1.4 milionë lekë (të reja). Praktikisht, prokurorja Prela e ka blerë këtë apartament me çmim 23 mijë lekë të reja për metër katror. Kjo vlerë është disa herë më e vogël se sa çmimet e referencës, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për shitjen e apartamenteve në Durrës.
Në Udhëzimin nr. 1, dt. 8.5.2013 “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave…”, Këshilli i Ministrave përcaktonte se vlera mesatare e shitjes së apartamenteve në Qarkun e Durrësit varion nga 74 mijë lekë në qytetin Durrës, deri në 41 mijë lekë në zonën e Sukthit. Donila Prela deklaron se apartamenti i blerë prej saj për 1.4 milionë lekë është në qytetin e Durrësit, konkretisht në Lagjen 13, Plazh, pra aty ky çmimi i referencës ka qenë 74 mijë lekë/m2, ndërkohë që prokurorja duket se ka rezultuar me fat, pasi ka blerë apartament për një vlerë 3 herë më të vogël se sa normalja.
Çmimi, i cili është dukshëm anomalisht i ulët për vlerën e apartamenteve në Durrës në vitin 2014, gjithësesi, nuk është i vetmi problem i Donika Prelës me këtë apartament.
Vetëm 10 muaj më pas, konkretisht në Dhjetor 2014, Donika Prela e shet këtë apartament për një vlerë 3 herë më të lartë, saktësisht 4 milion lekë (të reja). Pra, në Shkurt 2014 bleu apartamentin për vetëm 1.4 milionë lekë dhe e shiti në Dhjetor të të njëjtit vit, në vlerën 4 milion lekë, duke arkëtuar plot 2.6 milionë lekë të reja.
Këto të dhëna janë deklaruar nga vetë prokurorja Donika Prela në deklaratën e pasurisë së vitit 2014, të dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimin e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

“Boldneës.al” verifikoi deklarimet e prokurores Prela ndër vite, të cilat gjenden të publikuara në portalin “Opendata.al”, nga ku rezultoi se veprimet për blerjen dhe më pas shitjen brenda vitit 2014, lidhen me të njëjtin apartament, me sipërfaqe 59.2 m2, me adresë, Lagja 13, Plazh Durrës.
E gjithë shuma e përfituar nga shitja e apartamentit është depozituar në një bankë të nivelit të dytë në llogarinë e bashkëshortit të prokurores, Vangjel Prela.
Donika Prela aktualisht është nën verifikim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Në një njoftim zyrtar të muajit Mars 2018, KPK njoftoi se ka nisur procedurat e rivlerësimit për disa subjekte, ndër të tjerët edhe për Donika Prelën, në atë kohë Drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Në bazë të vendimeve të zbardhura deri më tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, rezulton se për pjesën më të madhe të subjekteve janë kryer verifikime edhe lidhur me dyshimet e mundshme për pastrim parash.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në faqen e saj zyrtare të internetit, përshkruan mënyrat klasike se si realizohet pastrami i parave. Skema realizohet në tre faza; krijimin e parave në forma të paligjshme (korrupsion, etj), më pas realizimin e transaksioneve të ndryshme për të vështirësuar zbulimin e burimit real të parave (shit-blerje pronash, etj.) dhe faza e fundit është “ri-integrimi” i parave të pista, pra përfshirja e tyre në sistemin ligjor (bankar), me qëllim pastrimin e tyre (hapja e depozitave bankare, etj).
Duke iu referuar skemës klasike të pastrimit të parave, është e lehtë të dallohen disa elementë ngjashmërie me transaksionet e kryera nga Donika Prela dhe bashkëshorti i saj për blerjen lirë dhe më pas shitjen me vlerë 3 herë më të lartë të apartamentit në Durrës, brenda një kohë shumë të shkurtër, rreth 10-mujore. Shuma e përfituar nga transaksioni është depozituar në llogari bankare.
Donika Prela, zv.drejtuese në Prokurorinë e Durrësit deri në fund të vitit 2017, njohu një rritje të menjëhershme në karrierë, pas zgjedhjes të mikeshës së saj, Arta Marku, si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Në Janar 2018, Arta Marku e caktoi Donika Prelën në detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, nëpërmjet një procedure anti-ligjore. Rreth 5 muaj më pas, në Maj 2018, po nëpërmjet një procedure anti-ligjore, Arta Marku e cakton Donika Prelën në pozicionin e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, detyrë që vijon ta kryejë ende.

“Boldnews.al”

Exit mobile version