Në Suedi “qajnë” 150 mijë euro. Skuadra e Kalmarit, që rriti portierin e Kombëtares shqiptare Etrit Berisha, pretendon se duhet të kishte përfituar 150 mijë euro nga shitja e kartonit të tij nga Lacio drejt Atalantës. Në një shkrim të publikuar nga mediat suedeze, zbulohet se ekipi zikaltër i Atalantës e bleu shqiptarin për afro 5 milionë euro dhe nga llogaritjet rezultonte se duhet të përfitonin të paktën 150 mijë euro.
Një shumë që nuk do të shkojë në arkat e ekipit ku u rrit Berisha. Njëra prej arsyeve është se gardiani kuqezi u largua nga Suedia në moshën 24-vjeçare, ndërkohë që fondi i solidaritetit për lojtarët që rriten në një klub jepet deri në moshën 23-vjeçare.
Mirëpo, ky nuk ishte problemi i vetëm që pengoi Kalmarin që të përfitonte sadopak nga Etrit Berisha. Në kampionatin italian, skuadrat nuk i bëjnë publike marrëveshjet dhe dokumentet e transferimit të një lojtari, kështu që është e vështirë që të gjendej shuma ekzakte që do të merrte Kalmari nga shitja e Berishës nga Lacio drejt Atalantës.
Talenti shqiptar transferohet te Juventusi
Jo vetëm goditje “big” në merkato, klubi i Juventusit iu kushton rëndësi edhe të rinjve, të cilët janë kontingjent premtues për të ardhmen.
Mediat italiane raportojnë se bardhezinjtë kanë arritur akordin me 3 talente, ku një ndër ta është edhe futbollisti me origjinë shqiptare, Qëndrim Kameraj, i cili luan si sulmues qendror dhe anësor.
Shqiptari i lindur në Luzernë, do të jetë pjesë e të rinjve të Juvestusit për sezonin e ardhshëm. Kameraj është vetëm 18 vjeç dhe kaloi te klubi bardhezi nga të rinjtë e Luzernës. Ai bën pjesë te Kombëtarja U-18 e Zvicrës, ku në 2 ndeshje ka realizuar 1 gol.