As garancia që ka dhënë Pique në Twitter se, Neymar do të qëndrojë te Barcelona nuk i ka shuar zërat për një largim të mundshëm të brazilianit nga Katalonja. Mediat franceze këmbëngulin se marrëveshja mes lojtarit dhe PSG mund të finalizohet gjatë javës. Sheiku Al Khelaifi ka bërë me dije se është gati të paguajë klauzolën e largimit të sulmuesit që është plot 222 milionë euro dhe tashmë pritet vendimi i futbollistit që vazhdon të mbetet i dyzuar. Neymar ka përpara duarve një kontratë marramendëse. 5 vjet me 30 milionë euro në sezon dhe 40 milionë euro komision për të atin e lojtarit që është edhe agjenti i tij.
Një shifër që emiri i Katarit shpreson ta rikuperojë disi me të ardhurat nga shitja e fanellave dhe imazhi i Neymar për të mos u vënë në shënjestër të UEFA-s për shkak të fair play financiar. Por skenari i shitjes së Neymar nuk është fundi, por fillimi i një reaksioni zinxhir në të gjithë tregun europian të futbollistëve, pasi Barcelona synon ta shpenzojë shumën në rast të largimit të brazilianit. Juve dhe Napoli janë dy skuadrat më të rrezikuara në këtë rast pasi Dybala dhe Insigne do të ishin shënjestra të lehta për katalanasit që kërkojnë të afrojnë gjithashtu edhe talentin e Liverpoolit, Felipe Coutinho për të cilin kanë gati një ofertë faraonike.
Transferimi më i shtrenjtë i historisë, ai i Neymar te PSG, mesa duket është i destinuar të mbetet ëndrra e një nate vere. Kjo pasi objektivi i francezëve që janë gati të paguajnë klauzolën prej 222 milionë eurosh të brazilianit gjen si pengesë vendimin e marrë nga vetë futbollisti, Neymar. Vendimin e komunikon Gerard Pique, qendërmbrojtësi i Barcelonës që ka një rol prej lideri në dhomat e zhveshjes: “Se queda” , siguron Pique. “Qëndron” te Barcelona.
Pique e bëri lajmërimin nëpërmjet Twitter, shoqëruar me një foto ku shfaqet i përqafuar me Neymar, me një postim të shkurtër, por domethenës, “Qëndron”. Shtypi spanjoll normalisht përcolli menjëherë lajmin duke i dhënë goxha hapësirë. Te Barcelona mund të marrin frymë të qetë, e ndoshta edhe te Juventusi, duke qenë se Dybala konsiderohej si pasuesi i Neymar në “Camp Nou”.
Ndërkohë vjen edhe një lajm tjetër interesant, brenda pak javëve Neymar do të marrë pasaportën spanjolle. Lajmin e bën të ditur “Mundo Deportivo”, e përditshme katalanase. Diçka e tillë lejohet nga ligjet lokale, sipas të cilave pas dy vjet e gjysmë qëndrimi mund të marrësh kombësinë e dyfishtë, kërkesë e plotësuar prej kohësh nga Neymar që zbarkoi në Barcelonë në verën e 2013. Praktika e pajisjes me pasaportë ka nisur që një vit e gjysmë më parë dhe gjithçka pritet të mbyllet në shtator me ceremoninë e betimit. Pasi të jetë realizuar diçka e tillë, Neymar do të lironte te Barcelona një vend ekstrakomunitari, nga i cili mund të përfitojë futbollisti kolumbian Yerry Mina, i cili do të transferohet nga Palmeiras në janar te blaugranat.