Real Madridi nuk dëshiron të humbë shumë kohë për ta konfirmuar transferimin e Eden Hazardit nga Chelsea. Këtë gjë madrilenët synojnë ta bëjnë pak ditë pas finales së Ligës së Evropës mes Chelseat dhe Arsenalit, që zhvillohet sonte.
Fytyrat e reja në skuadrën e Real Madridit për sezonin 2019/20 janë gjithnjë e më afër zyrtarizimit. Të hënën, më 3 qershor, pritet që Eden Hazardi i Chelseat t’i bashkohet Real Madridit.
Sonte, anësori belg do të luajë kundër Arsenalin në finale të Ligës së Evropës. I gjithë përqendrimi i Hazardit është për momentin te kjo ndeshje, e cila pritet të jetë e fundit për Chelsean, pas shtatë vjetëve në Londër.
Hazardi u transferua në Chelsea nga Lille në vitin 2012, kur kishte vendosur ta refuzonte ofertën e Manchester Unitedit. Tani, shtatë vjet më vonë, vëmendja e tij do të kthehet te një sfidë e re: të performojë sa më mirë në Santiago Bernabeu.
Presidenti i klubit, Florentino Perez, e pranoi të dielën se belgu ka qenë opsion i Real Madridit tash e shumë vite dhe se do t’i kishte pëlqyer nëse këtë verë, më në fund, Hazardi do të transferohej në Real Madrid.
Hazardi do të prezantohet para tifozëve të Real Madridit i pari, por ai nuk do të jetë i vetmi që do të transferohet në Madrid këtë verë. “Los Blancos” janë të interesuar edhe për transferimit e Luka Jovicit dhe Ferland Mendyt.
Marrëveshja për transferimin e Jovicit nga Eintracht Frankfurti është pothuajse e kompletuar, ndërsa transferimi i Mendyt nga Lyoni pritet të finalizohet së shpejti.