Transferimi më i dështuar i historisë

Në muajin shkurt të vitit të shkuar, futbolli kinez hapi dyert për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. Argjentinasi i Paris Saint Germain në atë kohë, Ezequiel Lavezzi u transferua te Hebei China Fortune, duke u bërë një nga lojtarët më të shtrenjtë të planetit, por brenda pak muajsh, ashtu si shumë yje të tjerë, u shua në futbollin pothuajse mediokër të vendit nga Lindja e Largët.
30-vjeçari i kushtoi skuadrës së Hebeit pothuajse 30 milionë euro, të cilat do të shkojnë në xhepat e Lavezzit brenda dy sezoneve. Në atë periudhë, Hebei e cilësoi Lavezzin si “Maradonan e ri”, por pak muaj më vonë, sulmuesi argjentinas u fut në një tunel nga i cili nuk arrin të dalë. Sipas dokumentave të zbuluar nga skandali “Football Leaks”, Lavezzi paguhet rreth 550 mijë euro në javë dhe klubi i ka siguruar 2 vila, 2 makina luksoze dhe një kuzhinier personal. Një investim stratosferik, por i pajustifikuar pothuajse në asnjë moment. Lavezzi ka luajtur vetëm 10 ndeshje brenda një viti pa asnjë gol dhe asnjë asist. Që prej muajit maj, sulmuesi argjentinas nuk zbret në fushë për shkak të një dëmtimi të rëndë në krah të pësuar në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës.
Pas operacionit, Lavezzi u rikthye me Argjentinën në eliminatoren 3-0 të humbur ndaj Brazilit në muajin nëntor, por ajo ndeshje rezultoi një dështim total për sulmuesin që u vu në qendër të akuzave për përdorim droge, çka detyroi madje edhe Lionel Mesin të fliste publikisht në emër të skuadrës, duke dalë në mbrojtje të Lavezzit. Aktualisht, ish-sulmuesi i Napolit vazhdon të hasë probleme të mëdha, por jo në llogarinë bankare, sepse edhe me një kontribut minimal në radhët e Hebeit, ai do të pasurohet me 30 milionë euro më shumë.

Exit mobile version