Transparenca për Jetën është e pa vlerë në autokraci

Ndarja nga jeta nuk ka ngjyrë politike, është përfundimi i rrugëtimit të jetës të secilit qytetar; është një prind biologjik, vëlla ose motër, i afërm ose e afërme, mik ose mikeshë, një më pak ndër ne të gjallët që do të vijojmë rrugëtimin e së përditshmes njerëzore. Në shoqëritë normale dhe demokratike, numri i të ndarëve nga jeta dhe shkaku nuk janë objekt sekreti shtetëror dhe pushtetor; nuk janë thjeshtë numra të grafikëve që vizatohen krenueshëm në versione teknologjike për të dëshmuar sukseset që kërkohen si uji në shkretëtirë. Në të gjitha qëndrimet publike nuk vërehet asnjë akuzë ndaj personelit shëndetësor; çështja nuk është kompetencë e tyre, por në emër të jetës po dënohet koncepti i të konsideruarit një shifër ; kjo ndodh në qeverisjet thuajse ose tërësisht autokratike.

Në autokraci mbetesh thjeshtë një numëror statistikor që frymon për së gjalli, kështu që ndarja nga jeta nuk përbën një lajm; mbetesh një nga të shumtët që” merr udhën tek të shumtit”, por nuk është e rëndësishme nëse je një më shumë apo një më pak. Në rendet politike autokratike apo në pararendjen drejt të tillit, frymimi mbetet një proces mekanik sepse e drejta për të votuar mohohet përmes shantazhit dhe presionit ose e njëjta tjetërsohet në funksion të instalimit të rendit autokratik;- tjetërsimi i vullnetit qytetar mbetet elementi thelbësor që e shndërron individin dinamik në një qënie që merr frymë, por me të drejta që përjetojnë kalvarin e shkeljes pjesore dhe mohimit tërësor të të tillave.
Kompromisi me të drejtat themelore, i tilli që mund të jetë i vetëdijshëm në funksion të interesave të vogla ose i imponuar nga rrethana fatkeqe, është fillesa tragjike e të jetuarit pa jetë. Keqqeverisja, e tilla që ushtron pushtet përmes enumeracionit tragjik të nëpërkëmbjes, dhunimit, shkeljes, cënimit të të drejtave themelore në një shoqëri demokratike funksionale , nuk konsideron detyrim shtetëror dhe publik parimin e transparencës dhe llogaridhënies përpara opinionit publik. Luksi i grykësisë dhe pangopësisë zyrtare dhe njerëzore, në zyrat ku ngjizen institucionalisht padrejtësia shoqërore, paligjshmëria zyrtare dhe korrupsioni politik, është një zakonshmëri, por transparenca mbi jetën mbetet një luks që nuk mund të shihet, dëgjohet ose analizohet nga të tillët që konsiderohen si numërorë frymorë nga bordero-firmosësit e pushtetit.
E enjtja mbrëma, jo e njëjta parlamentare, por mediatike dëshmoi Shqipërinë e pamveshur me ngjyrat e politikës pushtetore dhe sukseseve imagjinare qeverisëse; lideri i opozitës zoti BASHA nuk dëshmoi thjeshtë dhe vetëm disa numra të munguar të qytetarëve që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19; ai tregoi dimensionin e munguar njerëzor të një qeverisjeje që në secilën ditë të konsumimit të pushtetit të ushtruar keqas nga e njëjta është larguar nga interesi qytetar dhe është shndërruar në një mekanizëm klientelist në funksion të interesave të një grupi tërësisht të ngushtë politik dhe ekonomik, gjithashtu.

Aksi mediatik i dy prej emisioneve kryesore politike në vend dëshmoi modelet e ndryshme; dëshmoi modelin e liderit politik , zotit BASHA që është i gatshëm të përdorë çdo instrument në funksion të një Shqipërie me një qeverisje normale të ditëve më të mira dhe një shprese të re; nga ana tjetër, është modeli i KryeKreut që konsideron sakrificë largimin nga një pushtet që ushtrohet në të mirën e një enturazhi, i tilli që është i vetmi përfitues. Deklarata e së shtunës nga KryeKreu çerek-shekullor në pushtet ishte një stacion retorik rutinor që vijon të mbulojë dështimin qeverisës me pandeminë që fillon me mbylljen e pakuptimtë të pranverës, vijon me masat e munguara gjatë verës dhe nuk po mbaron me rrekjen për të fshehur dështimin gjatë dimrit që sapo ka filluar;- të shtunën dëgjuam sërish mbi aleancën imagjinare mes Opozitës dhe Covidit, por kurrëfarë llogaridhënie apo transparence publike mbi shumëçka që po shkon keq në këtë vend. Kontrasti i thellë mes dy liderëve politikë, i tilli jo vetëm gjatë së enjtes mediatike në kohë reale, por gjithashtu në secilën ditë politike, dëshmon dhe konfirmon që koha për ndryshim është tani.
Vota për ndryshimin dhe kundër keqqeverisjes më 25 Prill është instrumenti për të realizuar ndryshimin e madh për një Shqipëri me liri, punë, dinjitet, ligj dhe demokraci. 25 Prilli është dita e refuzimit të çdo kompromisi afatshkurtër me të drejtat themelore; është dita e shumëpritur e vendimmarrjes qytetare dhe angazhimit të thelluar duke ushtruar masivisht të drejtën për të votuar. Një bashkim i madh për të larguar autokracinë dhe për të kthyer Shqipërinë të rëndësishme sërish. Bashkë sepse ka ende shpresë…

Exit mobile version