Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara në Evropë dhe krahasuar me një vit më parë, korrupsioni është rritur ndjeshëm. Këto janë përfundimet kryesore të Indeksit të përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit 2017, hartuar nga Transparency International, organizata më e rëndësishme kundër korrupsionit në botë. Raporti ka matur nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik gjatë vitit 2017, në 180 vende të botës.
Shqipëria renditet e 91-ta në botë, ndërsa mes vendeve evropiane, renditet mes dy vendeve të fundit, duke lënë pas vetëm Maqedoninë (e 107-ta) dhe duke u vlerësuar njësoj me Bosnje-Hercegovinën. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përkeqësuar ndjeshëm në renditje, duke rënë me 8 pozicione.
Në një shkallë nga 0 pikë – vend me korrupsion shumë të lartë deri në 100 pikë – vend pa korrupsion fare, Shqipëria u vlerësua me 39 pikë. Ky rezultat është më i dobët se mesatarja e përgjithshme botërore prej 43 pikësh. Krahasuar me mesataren e vendeve evropiane e cila është 66 pikë, diferenca është ndjeshëm më e lartë.
Vlen të theksohet se Kosova ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në 2017-ën ajo renditej më dobët se Shqipëria, në vend të 95-të, ndërsa këtë vit Kosova është përmirësuar me 10 pozicione, duke u renditur e 85-ta dhe duke lënë pas Shqipërinë.
Raporti thekson se gjatë vitit 2017, një dukuri aspak demokratike si autoritarizmi u përhap në të gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, duke penguar përpjekjet kundër korrupsionit dhe duke kërcënuar liritë civile. Pothuaj në të gjithë rajonin, organizatat joqeveritare (OJQ) dhe mediat e pavarura përjetuan sfida për të monitoruar dhe kritikuar qeveritë. Vendet ku pothuajse nuk ekziston korrupsioni janë Zelanda e Re dhe Danimarka, ndërsa më problematikët rezultojnë Sudani i Jugut e Somalia.
“World Justice Project”: Shqipëria me korrupsionin më të lartë
Para disa ditësh, “World Justice Project”, institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rendiste Shqipërinë të 68-tën nga 122 shtete, në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2017-2018. Shqipëria merr 0.51 pikë, e pandryshuar në raport me një vit më parë, por është përmirësuar me 4 pozicione për shkak të përkeqësimit të shteteve të tjera (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë).
Më këtë vlerësim, Shqipëria përfshihet në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve, në të njëjtën nivel me disa vende të tjera të Ballkanit, Azisë jugore dhe Amerikës së Jugut.
Vendi ynë e ka treguesin e përgjithshëm të zbatimit të ligjit pak më mirë sesa Serbia (që është në vend të 76). Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 57), Bosnja po në vend të 47.
Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 93 nga 113 shtete që janë në renditje, me 0.35 pikë, duke e përfshirë atë në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë. Shqiptarët nuk mendojnë se në Shqipëri ka mungesë korrupsioni, përkundrazi. Ata e vlerësojnë të lartë në ligjvënie, sistemin juridik dhe në qeverisje. Më të ulët e perceptojnë korrupsionin ata në sistemin policor dhe ushtarak.
Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në rajon. Bosnja është në vend të 73, Maqedonia në vend të 60, Serbia në vend të 74. Edhe zbatimi i rregulloreve ka një renditje negative, në vend të 91. Të drejtat themelore, janë treguesi ku renditemi më mirë, në vendin e 41, e ndjekur nga rendi dhe siguria në vendin e 43. Për treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, Shqipëria renditet në vend të 70. Të gjithë treguesit rezultojnë të pandryshuar në raport me një vit më parë.
Tre shtetet me ecurinë më të mirë në raportin e 2017-2018 ishin Danimarka (1), Norvegjia (2), dhe Finlanda (3); tre të fundit janë Afganistan (111), Kamboxhia (112), dhe Venezuela (113). Tre më të mirët dhe tre të fundit nuk kanë ndryshuar në krahasim me indeksin e vitit 2016.
Globalisht, vendet në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut vazhdojnë të kryesojnë Indeksin e Sundimit të Ligjit të ËJP, pasuar nga vendet e Azisë Lindore dhe të Paqësorit, thekson raporti. Mesatarisht, rajoni i Azisë Jugore shënoi nivelin më të ulët.