Transportimi i parave, Sejko mbledh bordin e Shoqatës së Bankave

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka thirrur një takim me bordin drejtues të Shoqatës shqiptare të Bankave për të diskutuar për çështje që lidhen veçanërisht me sigurinë e zhvillimit të aktivitetit bankar, nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura së fundmi gjatë transportimit të vlerave monetare, si dhe për të diskutuar mbi aktivitetin financiar, kreditues dhe operacional të sistemit bankar. Teksa u vlerësua arrestimi i katër autorëve të dy grabitjeve në aksin Tiranë-Rinas, ata diskutuan edhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të. Gjatë takimit, guvernatori Sejko u ndal edhe në çështjen e trajtimit të kredive me probleme, duke vlerësuar se efektet e ndryshimeve ligjore, përvoja e fituar nga bankat, nxjerrja e kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave dhe ristrukturimi i kredive me probleme, do të nxisnin një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të tyre gjatë vitit 2017. Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit financiar për ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ruajtjes së imazhit të sistemit bankar, duke theksuar ndikimin e bankave si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë e vendit. Në përfundim, Shoqata shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës. Shoqata siguroi se do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim maksimal me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet qendrore dhe vendore për një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Exit mobile version