Trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit do të ekspozohet në shtëpinë e gjyshërve të saj

Objektet personale të disidentes antikomuniste Musine Kokalari do të ekspozohen në shtëpinë e gjyshërve të saj në Gjirokastër, e cila është kthyer këtë vit në memorialin “Muza ime” , nga një prej pasardhësve të fisit Kokalari, Arjeta Kokalari.

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale të Musinesë, koleksione artikujsh dhe fotografi, dorëshkrime , materiale etnografike, etj”, i tha Zërit të Amerikës Arjeta Kokalari, që krijoi qendrën “Muza ime”.

Dy të afërm Bibika dhe Palton Kokalari i morën objektet 41 vjet më parë nga vetë Musineja, që vuante në Burrel internimin nga regjimi komunist me porosinë e saj për t`ia dorëzuar muzeut etnografik të Gjirokastrës.

Dy vjet më parë Bibika Kokalari i dhuroi Arkivit të Shtetit 3112 dorëshkrimet e Musine Kokalarit, ndërsa objektet etnokulturore të Musinesë ia dorëzoi Bashkisë së Gjirokastrës me kushtin e vetëm që ato të mos ekspozoheshin në Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë e diktatorit komunist Enver Hoxha.

“Në atë shtëpi nuk i çoj pasi ai ishte xhelati që i mori tërë rininë dhe tërë jetën Musinesë”, deklaroi atëherë Bibika Kokalari.

Në bashkëpunim me bashkinë e Gjirokastrës, Bibika Kokalari i tërhoqi së fundi objektet për t`ia dorëzuar memorialit “Muza ime” në mungesë të ekspozimit, pasi shtëpia ku Musine Kokalari kaloi fëmijërinë në Gjirokastër u dogj disa vite më parë dhe nuk është restauruaar më pas, megjithë premtimet e autoriteteve shqiptare të kulturës.

Musine Kokalari është shkrimtarja e shquar disidente shqiptare që vuajti në 40 vite burgjet dhe internimet e regjimit komunist në Shqipëri.

Exit mobile version