Trashëgimia

Nga Yzedin Hima

Të dy familjet jetonin pranë njera –tjetrës, që kur s’mbahej mend. Shtëpitë e tyre private i ndante një gardh i përbashkët me bimë që gjelbëronin gjithë vitin. Kishin pasur një fqinjësi mjaft të mire, gati vllazërore deri në vitet e luftës, kur fati i ndau në dy kampe kundërshtare: djemtë e Arrajve u bënë me Ballin, ndërsa Takajt me Nacionalçlirimtaren. Arrajt qenë të kamur, falë kurbetit të gjyshit, që kishte punuar në Amerikë për disa dekada dhe me kursimet e sjella ngriti një fabrikë vaji, e cila vit pas viti u rrit dhe u modernizua, deri në fund të viteve 40, kur u shtetëzua nga qeveria. Djemtë e Takajve kishin punuar në fabrikën e Arrajve për vite me radhë dhe qenë mjaft të kënaqur me pagat dhe sjelljen miqësore të fqinjëve të tyre, të cilët punonin bashkë me ta dhe nuk shprehnin kurrfarë distance e arrogance si pronarë të fabrikës. Pastaj erdhi lufta, lufta që disa e emërtojnë si luftë civile, të tjerët si çlirimtare. Djali i vogël i Takajve u vra në përpjekje më një kolonë gjermane, ndërsa djali i madh i Arrajve u vra në një pritë, që Nacionalçlirimtarja i bëri çetës nacionaliste.
Lufta mbaroi dhe djali i madh i Takajve u kthye fitimtar, ndërsa djali i vogël i Arrajve si humbës, ndonëse të dy palët, kur rrëmbyen pushkët thane se do të luftonin për atdhe. Në fakt të dy palët e donin atdheun, por secili sipas mënyrës së tij. Takajt e donin Shqipërinë komuniste, si Bashkimi Sovjetik i Stalinit, ndërsa Arrajt e donin Shqipërinë si Austria, Gjermania, vende të cilat i njihnin mirë, sepse kishin udhëtuar shpesh për të lidhur kontratat për eksportin e vajit të ullirit.
Në ditët e para të pasluftës të dy familjet ende përshëndeteshin, ndonëse mjaft ftohtë, deri ditën kur në derën e Arrajve trokiti një patrullë ushtarake që komandohej nga djali i madh i Takajve. Ende pa u veshur mirë, prangat gjermane shtërguan fort duart e djalit të vogël të Arrajve. Pastaj burgu i gjatë, shtetëzimi i fabrikës dhe internimi. Në vitin 1990 Arrajt u kthyen në shtëpinë e dikurshme, fqinjë me Takajt. Një pasdite të vitit pasardhës u kthye në shtëpi edhe djali i vogël i Arrajve, tashmë në pleqëri të thellë, i dërrmuar nga burgu i gjatë.
Një vit më pare kishte ndërruar jetë edhe djali i madh i Takajve. Në ditën e rënies së shtatores së komandantit, ai kishte brofur në këmbë dhe me tavllën e cigareve kishte goditur me tërë forcën e mbetur televizorin bardhë e zi të markës “Iliria” që e kishte montuar në kuzhinën e ngushtë. Ende pa prekur tokën shtatorja e komandantit, ekrani u bë thërrime dhe televizori nxorri tym të kuq. Djali i madh i Takajve nxorri një ofshamë si sharje a rënkim dhe vdiq.
Edhe djali i vogël i Arrajve nuk e kishte të gjatë. Gjatë atij viti ai lëngoi pa e shijuar lirinë. Një pasdite thirri dy djemtë, tashmë të rritur, të martuar dhe me fëmijë dhe nisi t’u bëlbëzonte diçka, pa mundur të artikulonte qartë fjalët. Djemtë dhe nuset e tyre dëgjuan vetëm disa fjalë pa shumë kuptim: “ atje … atje te ligustra… kujdes… thellë…” Po atë pasdite ai dha shpirt. Me gjithë mjerimin që kishte pllakosur vendin, djemtë e Arrajve i bënë babait të gjitha nderimet.
Pas përcjelljes së babait djemtë dhe nuset nisën të ndërtonin tekstin e mangët sipas mendjes së tyre. Babain, dikur e kishin torturuar në polici për të dorëzuar floririn, por ai nuk kishte dorëzuar asgjë, me pretekstin se nuk kishte ç’të dorëzonte.
“Me ç’duket i paska fshehur thellë në kopësht te rrënjët e ligustrës në ndonjë qyp,” – mendonin. Një qyp me florinj do të ishtë kapaku i artë i vuajtjeve të familjes së tyre.
Një pasdite të dy djemtë dhe nuset e tyre nisin të gërmonin me kujdes te rrënjët e ligustrës. Kur kazma ndeshi diçka të forte, djali i vogël thirri i shkujdesur: e gjeta… e gjeta… e gjeta… Djali i madh dhe dy nuset vrapuan drejt cepit të kopshtit. Në gropën e hapur qe shfaqur një arkë e rrumbullakët metalike dhe kapaku i saj me një dorezë të ngjyrosur me bojë kaki. Djali i vogël e kapi dorezën dhe nisi ta tërhiqte ngadalë. Matanë gardhit qenë mbledhur fqinjët e tyre, Takajt, burra dhe gra, kureshtarë për gërmimin dhe gjetjen, dhe kishin rrasur sytë në vrimat e gardhit ngjitur.
Kur djali i vogël i Arrajve e tërhoqi me gjithë forcën e krahut kapakun e arkës, u dëgjua një krismë e lemerishme. Shpërthimi i madh rrafshoi gjithçka, këtej dhe andej gardhit.

Exit mobile version