Traumat e puçit në Turqi

Abbas Djavadi

I kam përcjellë pandërprerë zhvillimet në Turqi prej 15 korrikut, ditën kur përpjekja për grusht shteti e ka tronditur këtë vend për rreth 20 orë. Ndonëse dështoi puçi, i tërë kombi turk është përfshirë nga një traumë që në mënyra të ndryshme është ende duke vazhduar.

Gati 300 persona janë vrarë, kryesisht derisa janë përballur me autorët e grushtshtetit, por në mesin e viktimave ka edhe oficerë dhe ushtarë që gjithashtu e kanë humbur jetën, ndonëse nuk e dinin se çfarë saktë po ndodhte.

Kleriku turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, menjëherë nga qeveria është shpallur si koka e përpjekjes për grusht shteti.

48 orët e para, rreth 7 mijë persona janë paraburgosur, arrestuar apo përjashtuar nga puna. Ky numër ka qenë në rritje vazhdimisht, duke arritur në 66 mijë persona që vijnë nga të gjitha fushat e shoqërisë, kryesisht njerëz që kanë punuar të kontraktuar nga organet qeveritare.

Duke ia shtuar kësaj anëtarët e familjeve të të arrestuarve apo pezulluarve nga puna, del një grup prej 250 mijë deri në 300 mijë kundërshtarë potencialë, shumica e të cilëve nuk kanë qenë të përfshirë me “palën” tjetër apo nuk kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me të.

Kujtimet e vrasjeve, urrejtjes dhe dhunës, ndarjet në ushtri dhe agjencitë qeveritare në atë se kush me cilën palë është, të gjitha këto janë vërtetë traumatike për kombin turk.

Shumë pjesëtarë të partive të ndryshme politike dhe mediave i janë bashkuar qeverisë së udhëhequr nga Presidenti Recep Tayip Erdogan për të mbrojtur demokracinë kundër grusht shtetit.

Paraburgosjet dhe pezullimet nga puna nuk janë ndalur. Por, dy javë pas grusht shtetit të dështuar, lëvizja e Gylenit me të gjithë përkrahësit e vërtetë apo të dyshuar, ushtarët përkrahës dhe personat e sigurisë, punonjësit e qeverisë, mësuesit, gazetarët apo biznesmenët në përgjithësi besohet se janë “pastruar” në tërësinë e tyre.

Sidoqoftë, epoka e krizës, ndarjes, dhunës politike, alarmimit, thashethemeve dhe garës për të deklaruar besnikëri ndaj qeverisë dhe akuzave ndaj armiqve vazhdon të jetë tejet e madhe.

Do të bëj përpjekje që të përmbledh për ju përshtypjet e mia personale rreth asaj se si e mendoj unë qëndrimin emocional të publikut turk, dy javë pas “konfliktit më të rëndë kombëtar” prejse është themeluar Republika e Turqisë në vitin 1923.

Shumica, përfshirë edhe përkrahësit edhe kundërshtarët e qeverisë, duket se janë të bindur që grushtshtetet, pavarësisht se kush qëndron prapa tyre, janë të papranueshme dhe duhet të kundërshtohen dhe ndalohen nga qeveria, edhe përmes përdorimit të forcës. Ideja se zgjedhjet duhet të jenë e vetmja mënyrë për të ndryshuar qeverinë është diçka që e besojnë edhe kundërshtarët më të ashpër të Erdoganit.

Shumë njerëz, pavarësisht qëndrimeve të tyre politike, mendojnë se Erdogani ka pasur nevojë të mbrohet nga organizatorët e puçit.

Sidoqoftë, duket që frika e nxitur nga qeveria dhe fushata mediale kundër Gylenit parandalon njerëzit të shprehin qëndrimin e tyre hapur në publik. Shumica e mediave bëjnë garë se kush do e njollosë më shumë lëvizjen e Gylenit. Me raste, kjo fushatë dhe raportimi medial në turpërimin publik të Gylenit shkojnë përtej standardeve etike.

Agjencia shtetërore për çështje fetare i ka ndaluar ritualet fetare në funeralin e viktimave nga ana e organizatorëve të puçit. Një profesore e një universiteti është përjashtuar nga puna sepse nuk ka dashur që të përdor termin “martir” për të vdekurit nga ana e qeverisë.

Shumica e njerëzve dhe mediave duket se janë të bindur se Gyleni është organizatori kryesor i përpjekjes për grushtshtet. Nuk është e qartë se sa kjo ndjesi është e sinqertë apo nëse kjo thuhet vetëm nga frika.

Po, Erdogani e ka fuqizuar bazën e tij të përkrahjes duke bërë bashkë popullin dhe duke e shkatërruar puçin.

Një garë ka filluar për të zëvendësuar dhjetëra mijëra njerëz që janë pezulluar nga puna apo arrestuar, kryesisht në ushtri, sistem të drejtësisë, departamentin e arsimit dhe agjenci të tjera shtetërore. Nuk ka mjaft njerëz të kualifikuar për t’i mbushur këto pozita tash të lira. Këto poste duhen mbushur me njerëz që janë më pak të përgatitur apo më pak të arsimuar apo që nuk janë fare të trajnuar për punën.

Një situatë e njëjtë është raportuar deri në vitin 2010 kur lëvizja e Gylenit kishte përjashtuar nga puna prokurorë, gjykatës dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Ata kanë filluar përjashtimin nga puna të mijëra njerëzve të personelit ushtarak, punonjësve qeveritarë dhe komandantëve ushtarakë. Këta njerëz më pas janë zëvendësuar me përkrahës të lëvizjes që kanë qenë më pak të përgatitur për postet në fjalë.

Së paku gjysma e oficerëve të përfshirë në grushtshtet raportohet se janë promovuar në atë kohë sipas konspiracionistëve rreth lëvizjes së Gylenit.

Kjo ishte lejuar atë kohë nga qeveria e Erdoganit sepse atëherë ai dhe Gyleni kanë qenë aleatë kundër establishmentit sekular turk dhe ushtrisë e drejtësisë që ishin pro Republikës.

Shumica e figurave politike dhe mediale, përfshirë edhe opozitën dhe natyrisht edhe qeverinë besojnë se Perëndimi ka hequr dorë nga ta. Murat Yetkin, një kolumnist i njohur liberal thotë: “Çfarë do të ndodhte në Perëndim sikur Kongresi amerikan apo Bundestagu gjerman të bombardoheshin, që Shtëpia e Bardhë të bombardohej, që ura e Brooklinit apo shëtitorja Champs Elysees të bllokohej, civilët të vriteshin dhe të bëhej përpjekje për vrasjen e Presidentit, Kryeministrit dhe shefave të shtabit ushtarak?

Ndryshe nga Perëndimi ku ka qëndrime të ndryshme rreth Gylenit, në Turqinë e sotme duket se shumica janë me grupin e kundërshtarëve të puçit apo kundërshtarëve të Gylenit. Shumica e përkrahësve të tij tashmë kanë ndryshuar kahje, kryesisht drejt qeverisë apo janë arrestuar apo thjesht janë në arrati.

Kërkesa e qeverisë turke për Shtetet e Bashkuara për ta ekstraduar Gylenin, klerikun që jeton në Pensilvani, është kthyer në pikën kryesore të grindjes mes Ankarasë dhe Uashingtonit, sikur gjithçka varet nga ky vendim prej administratës së Obamës. Turqit besojnë se Uashingtoni mund ta bëjë këtë, por ende po mendohet për arsye politike derisa Uashingtoni thotë se do e shqyrtojë kërkesën pasi të rishikojë dëshmitë rreth dyshimeve se Gyleni vërtet është koka e puçit.

Perëndimi nuk ka demonstruar ndonjë ndjeshmëri e aq më pak simpati me Turqinë gjatë këtyre ditëve dramatike; kjo është ndjesi e përgjithshme në Turqi. Të gjithë janë fokusuar më shumë në atë se sa autoritar është Erdogani.

Mbi të gjitha, disa figura mediale më radikale dhe islamike janë duke qarkulluar apo edhe krijuar vetë thashetheme se amerikanët, së pari CIA apo Pentagoni, qëndrojnë prapa puçit; se ata i kanë dhënë vizë Gylenit në vitin 1999 dhe se ata e kanë ndihmuar atë që ta organizojë puçin. Për shembull, Abdurrahman Dilipak nga e përditshmja “Yeni Akit” thotë se kryengritja është kryer nga Shtetet e Bashkuara dhe se kjo nuk e ka pasur cak vetëm Turqinë, por ajo kishte cak islamin në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, Vatikani, Britania, Franca, Gjermania dhe “normalisht Izraeli” kanë interesat e tyre në këtë skenar.

Deri më tash, nuk kam parë asnjë dëshmi të qartë që i përkrah këto pretendime dhe thashetheme, vetëm disa raportime pa burime apo deklarata. Është interesante që qeveria turke ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të pabaza që po bëhen kundër aleatit të tyre në NATO.

“Marketingu i zi” kundër Perëndimit dhe veçanërisht kundër Shteteve të Bashkuara është aq këmbëngulës sa edhe deklarimet dhe komentet nga zyrtarët amerikanë, përfshirë Presidentin Obama, zëdhënësin e Departamentit të Shtetit apo ambasadorin amerikan në Ankara nuk kanë arritur që ta sqarojnë këtë.

Ata rregullisht kanë thënë se i dënojnë përpjekjet për grusht shteti, se akuzat për përfshirje amerikane janë “absurde” dhe se ata janë të gatshëm që ta shqyrtojnë kërkesën për ekstradimin e Gylenit.

Ndërkohë, mediat ruse janë duke bërë fushatë me thashetheme se Gyleni “nuk do të ekstradohet nga SHBA-të sepse ai është agjent i CIA-s”. Shumë njerëz në Turqi duket se po e marrin këtë si të mirëqenë.

Në Iran gjithashtu, një nga komandanët e Gardës revolucionare ka thënë se grusht shteti në Turqi nuk ka mundur të shtypet pa përkrahje nga jashtë. Fakti që Irani ka ofruar përkrahje të menjëhershme dhe të fuqishme për qeverinë e Erdoganit në shtypjen e grusht shtetit është mirëpritur në Turqi.

Artikulli paraprakReforma në Drejtësi dhe fshehja e së vërtetës
Artikulli tjetër“Politico”: Trump thotë një gënjeshtër në çdo 5 minuta