“Trazira” me Neymar

Sergio Ramos tha se, dera e klubit galaktik, ku bën pjesë, është e hapur për ish-yllin e Barcelonës, Neymar, nëse braziliani dëshiron të shkëmbejë PSG-në me kampionët spanjollë dhe europianë në fuqi. Neymar u bashkua me gjigantët e “Ligue 1” kësaj vere, për një marrëveshje rekord botëror me vlerë 222 milionë euro, por tashmë flitet për “trazira” me brazilianin ndërkombëtar. Sipas raporteve mediatike, Neymar është i pakënaqur me jetën te PSG, nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, duke nxitur spekullimin e një rikthimi sensacional në La Liga, konkretisht te fituesit e Ligës së Kampionëve në dy edicionet e shkuara.
I pyetur për Neymar, kapiteni Sergio Ramos tha për “Cadena Ser” se, dera e Real Madridit është e hapur për Neymar. “Më pëlqen të kem më të mirët në skuadër dhe është e qartë se, Neymar është një prej tyre. Ndoshta ishte më e lehtë për të që të shkonte te PSG-ja, në vend që të vinte drejtpërdrejt te Real Madridi. Ato janë vendime personale, nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë, sepse futbolli nuk parashikohet shumë. Unë tashmë e kam derën hapur për të, nëse dëshiron të vijë. Kam gjithashtu një marrëdhënie të mirë me të”, tha ai.
Neymar ka shënuar shtatë gola në tetë ndeshje në “Ligue 1”, këtë sezon, për ta ndihmuar PSG-në të lëvizë katër pikë para kampionit francez, Monaco, gjatë këtij pushimi ndërkombëtar. Ai ka shënuar edhe katër gola në Ligën e Kampionëve, për ta drejtuar PSG-në drejt kualifikimit në 1/16 finale të këtij kompeticioni, me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur në fazën e grupeve.
Neymar nuk është i motivuar për të luajtur në disa ndeshje të caktuara të Ligue 1 dhe kjo thuhet se ka qenë arsyeja e mungesës së tij në ndeshjen e fundit të kampionatit francez, ku PSG fitoi 5-0 ndaj Angers, ditën e shtunë. Braziliani ka dashur të jetë i freskët për ndeshjet miqësore që do të luajë me përfaqësuesen e tij. Neymar ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 8 ndeshje që ka luajtur deri tani në Ligue 1, ndërsa ai nuk ka munguar në asnjë nga katër ndeshjet e Champions League, duke shënuar 4 gola dhe duke dhënë 3 asiste.
Trajneri Unai Emery tha se, futbollisti i blerë për 22 milionë euro kishte pasur një shqetësim të vogël muskulor dhe në një konsultë me mjekët kishte vendosur ta linte pushim, por shtypi pohon se Neymar ka kërkuar të mos aktivizohet në ndeshjet pa rëndësi të kampionatit, duke e ruajtur veten të freskët për në Champions League. PSG kryeson kampionatin me katër pikë avantazh.
Megjithatë, gazeta spanjolle “Sports” shkuan se, ndeshja me Angers ishte një nga ato sfida të kampionatit që Neymar ka kërkuar të pushojë. Ai do të jetë në formacionin e Brazilit për ndeshjen miqësore që do të zhvillojë kundër Japonisë, të premtën në Lilë, ndërsa më 14 nëntor Neymar do të luajë kundër Anglisë në “Wembley”.

Artikulli paraprakDi María: Isha afër Barcelonës
Artikulli tjetërPSG-së i duhen 80 milionë