Tre arsye pse Rama s’ka sy e faqe të kërkojë votën e Diasporës!

Teksa shpjegonte tre arsyet pse duhet të votohet kjo qeveri për të marrë mandatin e katërt, “shigjetat” shkonin edhe drejt selisë blu.

Rama shprehet se emigrantët e dinë mirë dhe janë të kthjellët në atë çfarë duhet të bëjnë. Kryeministri ka renditur tre arsye themelore që sipas tij emigrantët janë të kthjellët për hapin që duhet të marrin.

“Në fakt unë mendoj se emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërmuese e tyre janë më të kthjellët se sa ne të paktën për tre gjëra themelore. E para ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë sepse nga një anë nuk i kanë ato gërmëret e përditshme të jetës së këtueshme që shpesh na lodhin të gjithëve dhe nga ana tjetër kanë mundësinë të vlerësojnë shumë më kollaj dallimin e asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë qenë herën e kaluar.

E dyta emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpeshherë nuk i kuptojnë madje ankesat tona për faktet që kafet dhe restorantet janë plot dhe ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë që jo s’ka bukë, s’ka ujë, jo s’ka rrugë, jo s’ka punë.

E treta emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë se sa ne rëndësinë e imazhit dhe të reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve.” tha ai.

Por duhet t’i kujtojmë kryeministrit se sipas të dhënave të Censit 2023, të krahasuara me të dhënat e lindshmërisë në Shqipëri, tregojnë se emigrimi po gërryen një pjesë domethënëse të të rinjve të paktë të vendit, por edhe të vetë fëmijëve, të cilët duket se janë larguar në emigrim bashkë me prindërit.

E para qeveria është munduar ta justifikojë këtë braktisje dramatike si një fenomen rajonal, që nuk ka lidhje me qeverisjen, por Banka Botërore jep arsye të tjera.

Një raporti i fundit i BB, që ka analizuar flukset migratore në Europë ka dalë në përfundimin se një nga arsyet madhore që largon qytetarët nga vendet e tyre është korrupsioni. Raporti thotë përkeqësimi i korrupsionit në një vend me një njësi, rrit emigrimin me 9 deri në 29 për qind.

“Më shumë korrupsion shoqërohet gjithashtu me norma më të larta emigracioni. Ky efekt është veçanërisht i fortë tek emigrantët e kualifikuar me aftësi të larta,” thuhet në raport.

Sipas BB, kanalet se si korrupsioni i detyron njerëzit të braktisin vendin e tyre, janë disa.  “Për shembull, nivelet më të larta të korrupsionit kanë një ndikim negativ në cilësinë e institucioneve lokale. Kjo çon në nivele më të ulëta besimi tek institucionet, pasiguri ekonomike për qytetarët, më pak mundësi pune dhe cilësi më të ulët të jetës,” vërejnë ekspertët e Bankës Botërore.

E dyta afro 40% e fuqisë punëtore aktive e Shqipërisë, po punon jashtë vendit, thuhet në raportin global për vitin 2024, të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.

Mbi gjashtëdhjetë përqind e shqiptarëve të lindur në vitin 1990 nuk ishin të pranishëm në Shqipëri në kohën kur u bë Censi 2023, shifër kjo që duket se tregon emigrim masiv mes të rinjve, me një shkallë edhe më të lartë se sa norma e përgjithshme e emigrimit në vend që vlerësohet të jetë 48%.

Të dhënat sugjerojnë se emigrimi i dekadës së fundit i ka prekur të gjithë shqiptarët pa përjashtim dhe se vendi përballet me rrezikun që të humbasë edhe ata pak fëmijë që kanë mbetur aktualisht në vitet në vijim, nëse nuk ndërmerren politikat e nevojshme për t’i mbajtur në vend.

Në tërësi, në Shqipëri kanë mbetur 2.4 milionë banorë, nga të cilët, vetëm 488 mijë janë nën 18 vjeç, ndërsa 436 mijë janë mbi 65 vjeç. Të dhënat mbi gjeneratat që pritet të hyjnë në tregun e punës në dekadën e ardhshme dhe atyre që pritet të dalin në pension, pra gjeneratat e shqiptarëve që sot janë 9-18 vjeç dhe atyre që janë 56-65 vjeç, tregojnë se grupi i të rinjve është 277 mijë vetë, ndërsa grupi i njerëzve në prag pensioni është 373 mijë vetë, gjë që do të thotë se sakaq ka 3 pensionistë të ardhshëm për çdo dy punëtorë të ardhshëm.

Por ky raport ka rrezik të përkeqësohet në rast se një pjesë e brezit të ri të shqiptarëve zgjedh emigrimin përkundrejt jetës në Shqipëri. Dhe krahasimi mes numrit të lindjeve në vite dhe numrit të popullsisë së pranishme në vend tregon se në fakt, e gjithë gjenerata e re e shqiptarëve është e prekur nga emigrimi, qoftë individualisht, qoftë familjarisht.

Dhe e treta, zoti kryeministër në 12 vitet e fundit që PS-ja është në pushtet, janë larguar nga vendi më shumë se 40 mijë vetë persona çdo vit. Duke pasur parasysh shtesën natyrore prej 88 mijë vetësh, nëse nuk do të kishim këtë shifër emigracioni, popullsia do të kishte shtim dhe jo pakësim, sikurse tregojnë të dhënat e Censit 2023./ Pamfleti

Exit mobile version