Tre fshatra në Bushtricë të Kukësit të izoluar nga bora

Fshati Vilë, Barruç dhe Shpat të Njësisë Administrative Bushtricë në Bashkinë Kukës janë ende të izoluar, ndonëse reshjet e borës kanë ditë që janë ndërprerë. Banorët bëjnë të ditur se asnjë borëpastruese nuk ka shkuar në zonë për të pastruar borën dhe për të bërë të qarkullueshme rrugët që lidhin këto fshatra me qytetin. Këto fshatra janë izoluar dhe kanë mbetur në mëshirë të fatit që nga data 7 janar i këtij viti. Banorët i bëjnë thirrje qeverisë që të bëjë të mundur hapjen e rrugës, pasi banorëve po iu mbarojnë edhe rezervat ushqimore.
Nga ana tjetër, edhe frekuentimi i nxënësve në shkolla është shumë i ulët. “Jemi në gjendje katastrofike, ky popull po vuan nga mungesa e produkteve ushqimore, jo se i gjeti të papërgatitur për këtë fenomen, por u bë kohë e gjatë në izolim dhe nuk kemi nga të përplasemi dhe të shpëtojmë jetët e familjeve tona.
Kjo gjendje e keqe bën të pamundur edhe nxënësit që të shkojnë në shkollë se s’munden të kalojnë nga bora e madhe!” thotë një nga banorët e izoluar.
Edhe zonat e thella malore në territorin e Pukës vijojnë ende të jenë të bllokuara, ndonëse reshjet e borës kanë pushuar prej kohësh. Një helikopter u detyrua të ndërhyjë, duke sfiduar vështirësitë e terrenit në fshatin Berishë të Njësisë Administrative Iballë, Bashkia e Fushë-Arrëzit, ku një grua ishte e sëmurë.
E moshuara, e cila ishte e sëmurë prej katër ditësh, sot ka shfaqur dhe probleme kardiake, të cilat e bënë të detyrueshme ndërhyrjen nga ajri. Ajo u transportua drejt Urgjencës së Spitalit të Pukës ku dhe po mbahet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve, pasi ju shfaqen kolika renale, problem shëndetësor që në rast neglizhence mund t’i rrezikonte dhe jetën.
“Në fshatin tonë ka tre metër dëborë. Çdo gjë është e mbuluar nga akulli, dhe se di kur do mund të lëvizim edhe nëpër shtigjet e fshatit. Sivjet dimri ka qenë i ashpër fort”, thotë gruaja e moshuar teksa e sjellin në mjediset e Urgjencës së Spitalit të Pukës. Zonat e thella vuajnë ende pasojat e motit dhe temperaturave që janë disa gradë nën zero.
Digjet shkolla në fshatin e izoluar nga bora
Ndërtesa e Shkollës 9-vjeçare në fshatin Arrëz të Kukësit është përfshirë nga flakët gjatë natës. Flakët janë favorizuar nga materialet e drurit në çatinë dhe dyshemenë e ndërtesës së shkollës. Kjo ka bërë që shkolla të shkrumbohet tërësisht, ndërsa policia ka nisur hetimin për rastin. Dyshohet se shkak për zjarrin mund të jetë bërë një shkëndijë nga oxhaku i njërës prej klasave. Banorët e fshatit u përpoqën të shuanin zjarrin me mjete rrethanore, por pa rezultat. Zjarrfikëset nuk mundën të mbërrinin në fshatin Arrëz, për shkak të distancës së largët dhe rrugës së bllokuar nga bora. Aktualisht, Bashkia e Kukësit po kërkon një ambjent të ri për nxënësit e kësaj shkolle.

Exit mobile version