NGA ERL KODRA
Që prej ditës së djeshme politika shqiptare ka hyrë në fazën përfundimtare të zhbërjes. Nëse bëjmë një paralelizëm me botën e kafshëve, tre klaneve që sundonin xhunglën e demokracisë shqiptare prej 33 vitesh po u vjen fundi. “Tre Luanët” kanë humbur fuqinë dhe kontrollin mbi xhunglën tonë. Një fuqi e re me bekimin e Shteteve të Bashkuara po u vjen hakut “Tre Luanëve”. Ky është një fund i turpshëm, që zor se mund të kishin menduar edhe në makthet më të errta. Dhe ta mendosh se as ata vet nuk janë në gjendje ta perceptojnë katastrofën, pavarësisht se SPAK u ka hapur defteret e mëkateve të tre dekadave.
Asnjëra nga klanet nuk është në gjendje të përceptojë realitetin e ri. Në subkoshiencën e tyre ata vazhdojnë të mendojnë se akoma janë të plotfuqishëm si dikur, kur bënin edhe diellin edhe shiun. Paraja dhe pushteti i pafre që kishin grumbulluar përgjatë viteve, i kishte bindur se ata mund të blinin gjithçka, madje edhe jetën dhe vdekjen. Ata e mendonin veten si ca qenie superiore, për të cilët nuk vlejnë ligjet e shkruara të shtetit. Por për fatin e keq të tyre, ata akoma nuk janë në gjendje të përceptojnë fundin. Fund që e kanë më afër se këmishën veshur.
Politika shqiptare nuk ishte në gjendje të rinovohej, veçanarisht opozita e Partisë Demokratike. Madje edhe atëherë kur kishte shansin e artë që të shkëputej pa dhimbje nga e kaluara, ajo bëri regresin më të thellë, duke u mbyllur rreth figurës së Sali Berishës, një ish-lideri që i ka perënduar ylli në të gjitha kuptimet. Egoja e sëmurë për pushtet të përjetshëm nuk e lejoi të shkëputej nga politika dhe të shijonte pensionin si gjithë ish-liderat e botës perëndimore. Në këto rrethana, shanset për fitore të opozitës shqiptare janë ZERO. Këtë e dinë të gjithë në Partinë Demokratike, por ata nuk janë të shqetësuar për këtë. Në këto kushte u mjafton pushteti që u jep opozita. Dhe ata duken mjaft të kënaqur me këtë copë pushteti.
Sot problemi kryesor i opozitës nuk është Edi Rama, por fakti se ajo nuk është në gjendje të bashkojë votën kundër Edi Ramës. Shumica e qytetarëve nuk e duan Edi Ramën, por kjo shumicë nuk e voton kurrë më Sali Berishën as Ilir Metën. Pakica e opozitës, po. Ky është një kurth i tmerrshëm në të cilin e kanë futur të ardhmen e vendit tre “zotat” – që deri dje ishin të pakprekshëm.
Por që prej ditës së djeshme situata është përmbysur.
Dhe “loja” që pritej të luhej në pranverën e vitit të ardhshëm edhe për katër vite të tjera, u prish. Nëse deri dje fitoren e Edi Ramës e legjitimonte opozita e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, sot nuk ka kush ia legjitimon fitoren. Në këto kushte, është e pamundur të gjendet një fije legjitimiteti në farsën e ardhshme zgjedhore. Dhe Edi Rama e di fare mirë se fundi i Sali Berishës dhe Ilir Metës është edhe fundi i tij.
Askush nuk e besonte se do të prekej Sali Berisha dhe Ilir Meta. Por kjo tashmë është një fakt. Dhe askush nuk mund të thotë se Edi Rama qenka më i zoti se sa Sali Berisha dhe Ilir Meta. Dhe të jeni të bindur se Edi Rama është një i burgosur që ecën.
Gjithçka mund të ndodhë, por nuk ka shanse që Edi Rama të gëzojë edhe një mandat tjetër. Është thjesht e pamundur.