Tre pikëpyetjet që nxjerrin bllof hetimin e prokurorit Gent Osmani për vëllanë e ministrit Xhafaj

Nga Boldnews.al

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nisur fillimisht për vëllain e Ministrit të Brendshëm si i dyshuar për “trafik narkotikësh” devijoi në akuza zyrtare për denoncuesin Alfred Veliu, bazuar në përgjimet e një personazhi të tretë, Fred Alizoti, i cili, sipas hetuesve, është “aktori” që ka luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj.
Në bazë të disa përgjimeve telefonike të Alizotit, prokurori Gent Osmani vlerësoi se duhet të ndiqen penalisht për “kallëzim të rremë” denoncuesi Alfred Veliu, gazetarin Jetmir Olldashi dhe deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Kjo histori, e cila ka vendosur denoncuesin përballë të gjithë makinerisë shtetërore, po prezantohet në publik me shumë kundërthënie, kryesisht të orkestruara nga qeveria, policia dhe prokuroria.
Gjithësesi, përtej kakofonisë, e cila është e gjitha në shërbim të vëllait të Fatmir Xhafaj, janë disa të dhëna, zyrtare, të cilat nxjerrin bllof prokurorinë dhe rolin e prokurorit Gent Osmani, personit kryesor në hetimin e çështjes “Xhafaj”.
Disa deklarata të Fred Alizotit, në një regjistrim të bërë publike nga deputeti Ervin Salianji, përkojnë me qëndrimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Alizoti deklaron se ka telefonuar në datën 1 qershor në sallën operative të Policisë së Fierit, ku ka kërkuar të flasë me drejtues, pasi ka vendosur të deklarojë se ai ka luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj në audio-regjistrimin me Albert Veliun.
Pikëpyetja e parë: Sipas njoftimit të Policisë, emri i Fred Alizotit është përfshirë për herë të parë në këtë histori më datë 1 qershor 2018, pikërisht në kohën kur ai vetë ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se ka vendosur të “rrëfehet”.

As denoncuesi Albert Veliu, as gazetari Jetmir Olldashi dhe as deputeti Ervin Salianji nuk e kanë përmendur asnjëherë këtë personazh, Alizotin. Atëherë, pyetja është: Përse është përfshirë në përgjim nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, shtetasi Fredi Alizoti, para datës 1 qershor, kur ky nuk rezultonte në asnjë vend në këtë çështje, deri në atë kohë?
Nga të dhënat e dosjes hetimore rezultojnë disa përgjime të Fredi Alizotit në ditët para datës 1 qershor, kur ai vendosi të “rrëfehet”. Pikëpyetja e mësipërme mund të marrë si përgjigje faktin që Fredi Alizoti është përfshirë në këtë histori, pas “përpunimit” të mundshëm nga ana e Policisë së Shtetit, për të ndihmuar Agron (Geron) Xhafaj dhe vëllain e tij ministër, Fatmir Xhafaj.
Gjithashtu, Alizoti deklaron se është marrë me makinë nga Fieri në drejtim të Prokurorisë për Krime të Rënda nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu (“ai nga Delvina”-shprehet Alizoti).
Pikëpyetja e dytë: Përse i gjithë ky angazhim i drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit (Ard Veliu-thotë Alizoti, drejtori i policisë së Fierit-thotë zyrtarisht Policia e Shtetit)? Në çdo rast, veprimet i kryejnë oficerët e Policisë Gjyqësore, pra vartësit e Veliut ose edhe të drejtorit të Policisë së Fierit. Gjithashtu, për marrjen e një dëshmie, në aspektin procedurial, dëshmitari shoqërohet me automjet policie dhe jo me automjet privat të drejtuesve të policisë.
Por, në rastin konkret, duket se zinxhiri më i lartë komandues ka qenë shumë aktiv për të krijuar të gjithë lehtësitë e mundshme për “dëshmitarin” që do të shpëtojë nga sikletet vëllezërit Agron dhe Fatmir Xhafaj.

Më tej, Alizoti deklaron se tek Krimet e Rënda, pasdite vonë, ka takuar një prokuror “djalë i ri, 40, 40 e ca vjeç, nga Kruja” (Gent Osmani). Më tej, Alizoti deklaron se është takuar edhe me Taulantin nga Librazhdi (Taulant Balla), i cili i ka premtuar 200 mijë euro që të deklarojë se ai është aktori.
Pikëpyetja e tretë: Data 1 qershor 2018 ka qenë e dielë dhe, si rregull, prokuroria është pushim, përveç prokurorëve të gatshëm. Për çfarë arsye kaq “madhore” dhe kaq “urgjente” është nevojitur që prokurori Gent Osmani të dilte në zyrë mbrëmjen e së dielës për të takuar një “dëshmitar”. Hetimi që ai po zhvillonte, fillimisht për “trafik narkotikësh”, siç konstatohet nga dokumentat e publikuar, nuk është trajtuar me asnjë urgjencë-nuk është marrë asnjë dëshmi e të denoncuarit, Agron Xhafaj dhe nuk janë kryer një seri veprimesh të tjera hetimore, në kuadër të trafikut. Atëherë, përse prokurori Osmani ka vendosur të “prishë” qetësinë e tij familjare dhe të takojë një “dëshmitar”, të sjellë si “pako postale” nga shefat e policisë për të shpëtuar Agron (Geron) Xhafaj?
Këto pikëpyetje, natyrisht, nuk pritet të marrin përgjigje nga Prokuroria për Krime të Rënda. Gjithësesi, shtjellimi i këtij momenti është shumë i rëndësishëm, për faktin se aty ka nisur edhe i gjithë devijimi i hetimit, i cili po përfundon me shpëtimin e Agron (Geron) Xhafaj dhe penalizimin e denoncuesit Albert Veliaj, si edhe të gazetarit e deputetit që i dhanë zë denoncimit të tij.

Agron Xhafaj Fatmir Xhafaj

Artikulli paraprakQeveria e Mark Frokut në epokën e Mark Zuckerberg
Artikulli tjetërKLSH zbulon skandalin me Check Up: Rama i dha Vilmës 4.7 milionë euro për kontrolle të pakryera