Tre reflektime mbi debatin publik mbi një vrasje (Liridona A)

Nga Neli Demi

I ligështuar dhe deri në një nivel i dorëzuar përpara monstruozitetit të vrasjes së Liridona Ademajt në Kosovë, por edhe në pritje të sqarimit të rrethanave e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe në respekt të precipitimit disi të traumës, vendosa të mos reagoj publikisht deri më tash. Mbulimi mediatik intensiv, qoftë ky informativ apo sensacional, shtoi mjaftueshëm presionin brenda meje për të shprehur atë që mendoj për këtë ngjarje si dhe për mënyrën sesi po trajtohet.

Motivi vs. Trauma: Në perceptimin tim një krim i çfarëdo lloji ka si produkt kryesor traumën që shkakton mbi viktimën e drejtëpërdrejtë.
Në këtë rast trauma/pasoja është fatale.
Humbja e jetës!! E këtu trauma transferohet në formën e rrathëve, bashkëqëndrorë te fëmijët, familja, të njohurit, shoqëria.
Sa më afër viktimës aq më e madhe trauma.
Dy fëmijë në fëmijërinë e herëshme do mbeten pa prindër!
Dy familje do jenë në dhimbje të përjetëshme! Një shoqëri e tërë shkundet ( për të disatën herë) nga fija e hollë që ndan jetën nga vdekja dhe nga niveli i dramacitetit që mund të prodhojë vendim-marrja e mendjes njerëzore!
E megjithë këtë, debati publik është përqendruar mëse tepërmi mbi motivet e kësaj vrasjeje: mosmarrveshje, pastrim parashë, tradhëti homoseksuale e zbuluar, përfitim të sigurimi të jetës e të tjera “arsye” që do ti shërbenin më shumë një romancieri të librave të verdhë sesa shoqërisë.

Krim njerëzor vs. krim pasioni vs. krim me bazë gjinore: Në një botë patriakale siç është kjo e jona, kur një grua vritet nga një burrë, gjithmonë unë mendoj që kemi të bëjmë me një krim me bazë gjinore!!! Sepse janë pikërisht balancat e identitetit gjinor dominues që kërkohen të rivendosen me anë të dhunimit dhe eleminimit të asaj që ka “guxuar” ti prishë ( këtu mund të diskutohet pastaj motivi).
E kam thënë në shumë raste që termi “krim pasioni”, në mendimin tim, nuk duhet të përdoret më pasi është një produkt i tentativave afatgjata pikërisht për të romantizuar pathologjinë individuale dhe sociale.

Naricistik vs. Psikopat vs. Skizofren: Fjalë këto që i kam dëgjuar të dalin, në mënyrë të papërgjegjëshme dhe jo profesionale, nga gojët e debatuesve në publik këto 2-3 ditë.
Do i lutesha mediave për të disatën herë dhe më shumë personave publikë që kanë akses në media, që të kenë modestinë të refuzojnë “diagnostikimin” e çrregullimeve duke u bazuar në hamendësitë dhe njohuritë sipërfaqësore që mund të kenë mbi mënyrën sesi funksionon mendja njerëzore dhe pathologjitë e njërit apo tjetrit!
Sigurisht që pas çdo vrasjeje fshihet një mendje e çrregulluar por lejoni profesionistët ta thonë dhe ta spjegojnë këtë!

Exit mobile version