Nga Albi Xhunga
Na tundën triumfalisht tre rezoluta të miratuara nga grupimet e partive të djathta për të na mbushur mendjen, se tani e tutje jo vetëm që Sali Berisha nuk është i izoluar, por ai po konsiderohet si i burgosur politik edhe nga partia Republikane Amerikane, edhe nga konservatorët britanikë, edhe nga PPE europiane që ka brenda CDU gjermane, etj, etj.
Mirëpo rezultatet që shohim janë pak të ndryshme. Sali Berishën jo vetëm që nuk e takon asnjë politikan me peshë, qoftë ky amerikan apo europian, por atij nuk ia përmend kush as emrin, sikur edhe emri i tij bart ndonjë lebrozë ngjitëse.
Ç’kuptim kanë rezolutat që janë votuar nga burokratët e partisë Republikane Amerikane dhe nga burokratët e PPE-ve, kur SPAK mbeshtetjen kryesore ka Bashkimin Europian, ku PPE-të janë grupimi më i madh politik në PE dhe SHBA-të, ku tashmë republikanët kanë fituar të gjitha pushtetet, përfshirë presidencën. Kujt po i hyn në punë se çfarë shkruhet në ato rezoluta, për sa kohë nuk ka një deklaratë nga presidenti i zgjedhur amerikan, apo nga presidentja e komisionit të BE? Të dy këta politikanë vijnë nga parti të djathta, pjesë e IDU.
Donald Trump dhe Ursula Von Der Leyen janë sot përfaqësuesit e atyre forcave që përkrahin SPAK. Le të dalë dikush nga ata vetë, ose përfaqësuesit e tyre dhe të na thotë se SPAK është organizatë kriminale që punon me axhendën e Soros dhe Sali Berisha është i burgosur politik. Atëherë gjithkush duhet të mbyllë gojën njëherë e mirë. Për sa kohë kjo nuk ndodh, ato rezoluta nuk kanë vlerë më shumë se letra në të cilën janë shkruar.
Se sa entuziastë janë dumbabistët me ardhjen në pushtet të Donald Trump, kjo kuptohet nga vetë reagimet e Berishës. Kur pyetet nëse ka shpresë se Trump do t’ia heqë non gratta-n, Berisha përgjigjet se Edi Rama është kriminel.
Bënë gabimin foshnjor të gëzoheshin publikisht me rikthimin e Donald Trump, atij presidenti që dërgoi Yuri Kim në Tiranë, me porosinë që t’i rrinte larg atij që i ishte prerë fatura e non gratta-s, duke u bërë e para ambasadore amerikane që nuk e takoi kurrë Sali Berishën. Çfarë do të thonë kur së shpejti në Tiranë të mbërrijë ambasadori i ri, i zgjedhur nga Donald Trump dhe i votuar nga Kongresi me shumicë republikane? Apo do të thonë se Soros bleu dhe presidentin Trump? Mundet. Kaq qesharakë sa janë bërë, mund të thonë gjithçka.