Tre të vdekur, tetë të plagosur vetëm dje në katër aksidente

Tre të vdekur dhe 8 të plagosur në 4 akisdente rrugore që ndodhën ditën e djeshme në Lezhë, Tiranë, Lushnjë dhe Gjirokastër. Bëhet e ditur se, një aksident i rënë me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin Lezhë-Tiranë. Dy makina, mjeti “Benz” me targa TR 0143 M dhe mjeti “Benz” ma targa LA 9785 A, u përplasën rreth orës 05:10, në rrugën nacionale Lezhë-Tiranë, në Fushë-Milot, në një segment rruge pa ndriçim. Dy viktimat ende nuk janë identifikuar, por udhëtonin me “Benz”-in me targa Tirane.
Mjeti me targa LA 9785 A drejtohej nga shtetasi B.M. rreth 35 vjeç, i cili udhëtonte me nënën e tij T.M. rreth 65 vjeçe dhe bashkëshorten B.M. rreth 32 vjeçe, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në mjetin me targa TR 0143 M ishin drejtuesi, i cili ka gjetur vdekjen në vend si dhe një pasagjer, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë në spital. Viktimat udhëtonin në mjetin TR 0143 M. Humbi jetën drejtuesi e pasagjeri i mjetit. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.
Po ditën e djeshme, një 74-vjeçar ka humbur jetën, pasi është përplasur nga një automjet, pranë fshatit Podgorie në Korçë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se, shtetasi R.M, 74 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, është përplasur në rrugë nga një makinë tip “Opel”, me targë AA 254 DL, që drejtohej nga shtetasi Fatos Kapushi, 40 vjeç. Policia ka vënë në pranga drejtuesin e makinës, i cili do të përballet me drejtësinë për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
“Specialistët e Seksionit për Qarkullimin Rrugor bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Fatos Kapushi, 40 vjeç banues në fshatin Podgorie-Korçë. Arrestimi i tij u bë, pasi dje, (rreth 500 m) mbi vendin e quajtur “Lapidari i Podgories”, ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Opel”, me targë AA 254 DL, ka aksidentuar, duke i shkaktuar vdekjen, shtetasin R.M, 74 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec këmbësor në rrugë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale: “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, një aksident ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Rogozhinë ku një makinë tip “Golf 4” ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në mes të rrugës. Drejtuesi i mjetit sipas policisë ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara, duke humbur kontrollin e duke u përplasur me mbajtësen anësore të rrugës, ku është përmbysur. Nga aksidenti është plagosur drejtuesi i mjetit, i cili po merr ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Si pasojë e këtij aksidenti ka pasur disa probleme në qarkullimin e makinave.
Një tjetër aksident ka ndodhur dje pasdite në Gjirokastër, me pasojë plagosjen e 4 personave. Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e Bularatit, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Një prej të plagosurve i identifikuar si Dh. Barka, ndodhet në gjendje më të rëndë për jetën. Ndërsa 3 të plagosurit e tjerë, të cilët udhëtonin në të njëjtin  mjet ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Artikulli paraprakShkon në 3 numri i viktimave nga rënia e zjarrit në spital
Artikulli tjetërVrasja e dyfishtë në Vlorë, asnjë i ndaluar nga policia