Sabir KRASNIQI
Duhet të kuptojmë se njeriu nuk është i kufizuar vetëm me lëkurën e vet, por me potencialin e pakufishëm të rrezeve në hapësirë dhe kohë. Këto rreze, kjo energji qarkullon edhe nëpër trupin e tij, nëpërmjet qendrave përkatëse energjetike (që në kulturën e lashtë indiane quhen çakra) dhe mban organizmin në harmoni me ambientin e jashtëm. Kjo energji, ndryshe quhet edhe si bioenergji.
Sikurse të gjitha aparatet teknike që funksionojnë duke u furnizuar me anë të energjisë, me të cilën janë të lidhura, po ashtu edhe njeriu ekziston duke u shërbyer me energji universi. Në fizikë, energji do të thotë aftësi veprimi, për kryerjen e një pune, ndërsa në psikologji do të thotë forcë, gjallëri e aktivitet psikik.
Energjia fizike paraqitet dhe vepron me forcën e saj në botën e jashtme materiale, ndërsa energjia psikike, mentale, emocionale… paraqet aftësi për kryerjen e veprimeve psikike, kuptimeve mentale, përjetimeve emocionale… pra, nxitje dhe rezultate të proceseve shpirtërore. Natyra e rrezeve fizike (dritës, rrezeve elektromagnetike, rrezeve rëntgen etj.,) na është e njohur dhe e dokumentuar me anë të fakteve vepruese si materiale, ndërsa natyra e rrezeve biologjike ende mbetet e papranuar shkencërisht, e pasqaruar definitivisht, e mbështjellë me vello mistike etj., etj., edhe pse fakte për t’u dokumentuar ka mjaft!
Duhet të kuptojmë se njeriu nuk është i kufizuar vetëm me lëkurën e vet, por me potencialin e pakufishëm të rrezeve në hapësirë dhe kohë. Këto rreze, kjo energji qarkullon edhe nëpër trupin e tij, nëpërmjet qendrave përkatëse energjetike (që në kulturën e lashtë indiane quhen çakra) dhe mban organizmin në harmoni me ambientin e jashtëm. Kjo energji, ndryshe quhet edhe si bioenergji.
Fjala bioenergji rrjedh nga fjalët greke: bios – jetë dhe energji – punë, veprim. Bioenergjia i është njohur njerëzimit që nga lashtësia dhe është përdorur atëherë, e përdoret edhe sot, për shërimin e shumë sëmundjeve ose lehtësimin e dhembjeve tek të sëmuret, me anë të furnizimit natyror me energji, pa ndihmën e medikamenteve dhe aparateve, por duke transferuar energjinë tonë personale, me anë të duarve, mbi trupin e të sëmurit, pa e prekur atë.
Edhe Jungu, në teorinë e tij të “Vetëdijes kolektive dhe të simboleve të arketipave”, thotë se njeriu është qenie psikoenergjetike dhe se shëndeti i tij varet shumë nga ajo se si energjia qarkullon nëpër trupin e tij, madje, çfarë ndien, mendon, dëshiron etj.
Siç thamë më lart, bioenergjia i është njohur njerëzimit që nga kohët më të hershme. Indianët e njohin këtë energji qysh para 5000 vjetësh dhe e quajnë “prana”. Këtë energji universale ata e konsiderojnë burim të jetës. Me anë të ushtrimeve të Jogës, ata manipulojnë edhe sot me këtë energji, nëpërmjet teknikës së frymimit, meditimit dhe ushtrimeve fizike, për ta mbajtur organizmin në gjendje të kthjellët, të qetë dhe të shëndoshë.
Edhe kinezët e njohin këtë energji dhe e quajtën Ch’i. Sipas filozofisë së tyre, e gjithë materia e gjallë apo edhe ajo që konsiderohet e “vdekur”, është e përbërë dhe e përshkuar nga kjo energji. Energjia Ch’i përmban dy pole të forcës, Jin dhe Jang. Kur Jin dhe Jang janë në baraspeshë, sistemi i gjallë (organizmi) është i shëndoshë, ndërsa kur midis tyre sundon disharmonia (jobaraspesha), si rezultat i saj kemi gjendje të sëmurë.
“Kabala” – teoria mistike e hebrenjve, që ka filluar të paraqitet rreth 450 vjet para Krishtit, tregon për këtë energji si dritë e shndritshme, dritë astrale. Krishterimi portreton figurën e Jezusit dhe figurat e tjera të larta shpirtërore të rrethuara me dritë të lehtë e të shndritshme (aureolë) mbi kokë. Shumë mësime ezoterike, si tekstet e vjetra hinduse, teozofistët, tibetasit, budistët e Indisë, zen – budistët e Japonisë, Zonja Blavocki, Rudolf Shtajner e shumë personalitete të tjera, që janë marrë me çështje shpirtërore, flasin dhe e përshkruajnë këtë energji.
Në fillim të shekullit XII, Buraku dhe Liberi kanë vërejtur se qeniet njerëzore kanë energji, e cila mund të provokojë ngacmime edhe në largësi. Ata kanë cekur se një person, me vetëdëshirë, mund të provokojë efekte pozitive ose negative tek personi tjetër, pa prekje fizike. Edhe Paracelzusi, në Mesjetë, këtë energji e ka quajtur “Ilaster” dhe thoshte se ilasteri është i përbërë nga forca e jetës dhe materies.
Dukurinë e “Energjisë universale”, në vitin 1800, e vëren edhe Mesmeri, i cili në bazë të kësaj energjie e krijoi “mesmerizmin”. Më vonë, Mesmeri këtë energji e përshkruan si hipnotizëm. Wilhem von Rajhenbah kaloi 30 vjet duke eksperimentuar në lëmin, të cilin e quajti “forcë tërheqëse”. Ai zbuloi se forca në trupin e njeriut prodhon polaritet të njëjtë me atë që gjendet në kristale. Në bazë të këtij eksperimenti, Rajhenbahu e përshkruan anën e majtë të trupit si pol negativ, ndërsa të djathtën si pol pozitiv. Ky sistem është pothuajse i njëjtë me sistemin kinez: Jin dhe Jang.
Në vitin 1919, Dr. Wiliam Killner bëri publike kërkimet e veta rreth energjisë njerëzore, për të cilën thotë se e ka parë nëpërmjet ekraneve të ngjyrosura dhe filtrave. Ai shkruan se ka parë tri shtresa në formë të mjegullës rreth trupit të njeriut. Këtë mbështjellës ai e quan “aura”. Killner zbuloi gjithashtu se paraqitja e aurës tek njerëzit është e ndryshme, varësisht nga mosha, vetitë mentale – emocionale dhe gjendja e tyre shëndetësore. Në bazë të kësaj, Killner zbuloi sistemin e diagnozimit në bazë të ngjyrave, përmbajtjes dhe dukjes në përgjithësi të mbështjellësit të trupit, pra aurës.
Dr. Wilhelm Reich, psikiatër dhe koleg i S. Frojdit, këtë energji e quajti “orgon”. Në periudhën 1930-1950, Rahji eksperimentoi me këtë energji, duke shfrytëzuar instrumentet më të reja mjekësore të kohës. Ai vërejti se si energjia pulsonte në natyrë dhe rreth të gjitha lëndëve organike dhe joorganike; kishte vërejtur gjithashtu pulsimin e energjisë që rrezatonte nga mikroorganizmat, duke shfrytëzuar mikroskopin e fortë, të konstruktuar posaçërisht për këtë. Gjithashtu, Rahji kishte konstruktuar vetë edhe aparatet për matjen e polit të orgonit.
Para disa vitesh, një grup shkencëtarësh nga ish-Bashkimi Sovjetik, në Institutin e Bioinformatikës “A.S. Popov”, paraqesin zbulimin se organizmat e gjallë imitojnë vibracione energjetike në frekuenca rreth 300-2000 nanometra. Ata këtë e quajtën energji biopolare ose bioplazëm. Ata zbuluan se personat që kanë aftësi për transformimin e energjisë e kanë fushën polare më të gjerë dhe më të fortë. Këto zbulime i vërtetoi edhe Akademia e Shkencave të Mjekësisë në Moskë. Gjithashtu, këtë zbulim e përmbajtën edhe shkencëtarët nga Britania, Holanda, Gjermania etj.
Zbulim mjaft interesant rreth ekzistimit të aurës është edhe ai i Dr. Valovit Hant nga UCLA. Në studimin për efektet e rolfingut (shërimi me anë të lëvizjeve të gishtave) në trup dhe në psikë, ai shënoi frekuenca të ulëta milivolitke të sinjaleve nga trupi gjatë serisë së seancës “Rolfing”. Për t’i regjistruar këto, ai shfrytëzoi një elektrodë të thjeshtë, të ndërtuar nga argjendi, duke e vendosur nën lëkurë. Njëkohësisht, me regjistrimin e sinjaleve, Rozalin Brijer nga qendra e Glendjelit për bioenergji (Kaliforni), vërejti aurën tek personat, të cilët është bërë rolfingu. Ajo raportonte në mënyrë paralele edhe për ngjyrat, madhësitë dhe sjelljet e energjisë nëpër çakra, si dhe mjegullat e aurës. Pastaj, shkencëtarët në mënyrë matematikore shqyrtuan strukturat e valëve të regjistruara me anë të analizës furike (të shpejtë), si dhe të analizës me anë të frekuencave të stenogramit. Të dy format e analizave ofronin rezultate interesante. Format konsistente të valëve dhe frekuencave i përshtateshin saktësisht ngjyrave, të cilat i thoshte Rozalin Brijer.
Kah fundi i viteve ’60, u lajmërua për herë të parë aparati për fotografimin e aurës (bioenergjisë), të cilin e zbuloi elektriçisti dhe fotoamatori Semjon D. Kirlian nga Krasnodova (Rusi), bashkë me të shoqen, Valentinën dhe e quajtën me mbiemrin e tyre “Fotografia e Kirlianit”. Në këto fotografi shihet qartë një lloj drite, diku më e fortë e diku më e dobët (varësisht nga lënda), e cila duket në formë të flakës ose rrezeve. Kirliani, gjatë eksperimenteve të gjata, arriti të konstatojë se secila substancë e ka strukturën e vet tipike. Për shembull, gishti i njeriut e ka strukturën krejt të ndryshme të dritës nga gjethi i ndonjë bime. Metali tregon dritë fare të dobët, ndërsa organizmat e vdekur nuk rrezatojnë fare dritë.
Ky aparat përdoret edhe sot për matjen e potencialit të energjisë dhe në bazë të këtij aparati, njerëzve, që kanë energji të madhe, u jepen diploma dhe leje për shërim me anë të duarve.
Fotografia e Kirlianit edhe më tej mbetet një ndër faktet më të forta dhe më bindëse për ekzistimin e bioenergjisë.
Aura, fusha energjetike e njeriut, është manifestim i energjisë dhe është e lidhur ngushtë me jetën e njeriut. Mund të përshkruhet si mjegull, që rrethon dhe e përshkon trupin fizik dhe emeton rreze karakteristike. Kjo fushë e aurës, bazuar përgjithësisht në njohuritë e lashta indiane, përshkruhet si shtatë shtresore. Secila shtresë e aurës është e lidhur me shtatë çakrat. Kështu që shtresa e parë është e lidhur me çakrën e parë, e dyta me të dytën e kështu me radhë.
Shtresa e parë dhe çakra e parë është e lidhur me funksionet fizike, ndjeshmërinë e dhembjes fizike dhe kënaqësitë shqisore. Shtresa e dytë dhe çakra e dytë është e lidhur me aspektet emotive të njeriut. Shtresa e tretë dhe çakra e tretë është e lidhur me jetën tonë mentale, me mendimet lineare. Shtresa e katërt dhe çakra e katërt është rruga nëpër të cilën krijojmë dashurinë. Jo vetëm ndaj polit të kundërt, por edhe ndaj gjithë njerëzimit. Shtresa e pestë dhe çakra e pestë është e lidhur me dëshirat më të larta, me forcën e fjalës dhe me marrjen e përgjegjësisë për veprimet tona. Shtresa e gjashtë dhe çakra e gjashtë është e lidhur me dashurinë qiellore, me dashurinë, e cila shtrihet jashtë rrethit njerëzor dhe përfshin gjithë jetën. Shtresa e shtatë dhe çakra e shtatë është e lidhur me mendimet e larta, inteligjencën dhe integrimin e forcës sonë fizike dhe shpirtërore.
Gjithashtu, ekzistojnë lokacione specifike në sistemin tonë energjetik për emocionet, mendimet, kujtimet dhe përjetimet e tjera psiko-fizike. Pasi simptomat fizike janë të lidhura me ato lokacione, mund ta kuptojmë edhe natyrën e sëmundjes. Për këtë edhe studimi i aurës mund të jetë urë në mes mjekësisë tradicionale dhe asaj konvencionale.
Nëpërmjet këtyre çakrave supozohet se kalon e gjithë energjia universale nëpër trupin tonë dhe e mban atë në harmoni me natyrën. E në qoftë se ndonjë nga këto çakra çrregullohet, atëherë pason edhe sëmundja, të cilën bioterapeutët me anë të duarve, respektivisht bioenergjisë, e shërojnë, duke ia rregulluar drejtimin e rrotullimit energjisë nëpër çakra përgjatë gjithë organizmit.
Sa i përket bioenergjisë, sot në botë ekzistojnë tri teori: Njëra konsideron se është fjala për fushën e energjisë, e cila i është njohur fizikës moderne. E dyta konsideron se është fjala për energji ende të panjohur. Ndërsa e treta mohon bioenergjinë, ekzistencën e saj dhe pohon se fjala është për sugjestione dhe hipnozë.
Pavarësisht se cila teori është më afër realitetit, pra mund të jetë e saktë, dhe për çfarë forme energjie është fjala, ajo sot me sukses po përdorët për shërim dhe po tregon rezultate tepër inkurajuese.