Në vitin 2024, Shqipëria renditet ndër vendet me hendekun më të thellë gjinor në punësim në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, diferenca mes normës së punësimit të burrave dhe grave në vendin tonë arrin në 12.6 pikë përqindje, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 9.2 pikë përqindje.
Ky tregues, i njohur si “hendeku gjinor i punësimit”, mat diferencën mes normës së punësimit të meshkujve dhe femrave të moshës 15–64 vjeç. Në Shqipëri, për vitin 2024, norma e punësimit për gratë është 62.4%, ndërsa për burrat 75%. Për krahasim, mesatarja e BE-së është 66.2% për gratë dhe 75.4% për burrat.
Pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, Shqipëria renditet ende në vendin e shtatë nga fundi në Europë për normën e punësimit të grave. Më keq se ne qëndrojnë vende si Serbia, Rumania, Greqia, Italia dhe Turqia.
Ndër vendet me pabarazitë më të thella gjinore në punësim kryesojnë Turqia me 36.3 pikë përqindje dhe Italia me 17.8 pikë përqindje. Në anën tjetër të spektrit, Finlanda, Estonia dhe Lituania kanë treguesit më të mirë, me diferenca minimale nga 0.4 në 1.2 pikë përqindje.
Pabarazia gjinore në punësim lidhet me faktorë të ndryshëm si diskriminimi në tregun e punës, pjesëmarrja e ulët e grave në vendimmarrje, si dhe barrën e kujdesit për fëmijët dhe punën e papaguar në familje. Këto barriera vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në aksesin dhe qëndrueshmërinë e grave në tregun e punës. Ky hendek i theksuar gjinor në Shqipëri ngre pikëpyetje serioze mbi politikat aktive të tregut të punës dhe efektivitetin e masave për barazi gjinore./SCAN