Tregu i sigurimeve pëson rënie me 4.4%

Tregu i sigurimeve të “Jetës” iu rikthyer performancës negative. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes, financime primet e shkruara bruto gjatë periudhës janar–qershor 2016 pësuan rënie me rreth 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fund të muajit maj të këtij viti, sipas AMF-së ky segment i tregut u rrit me rreth 3% krahasuar me majin e 2015-ës. Këto shifra tregojnë luhatjen e fortë që po pësojnë gjatë këtij viti kompanitë që ofrojnë produktet e “Jetës”. Edhe numri i kontratave gjatë 6-mujorit të parë të vitit u ul me rreth 6%, duke konfirmuar rënien e policave të sigurimit të marra nga shqiptarët. Sigurimi “Jeta e debitorit” pësoi rënie të volumit gjatë periudhës janar–qershor me rreth 17%, çka tregon edhe kërkesën e dobët për huamarrje në sistemin bankar, pasi është një produkt që lidhet drejtpërdrejtë me këtë shërbim. Pesha ndaj totalit të portofolit zbriti në rreth 55% nga rreth 63.4% që zinte një vit më parë.
Nga ana tjetër pagesa e dëmeve gjatë 6-muajit të parë të këtij viti shënoi rënie drastike me rreth 44.5%, duke arritur në total vlerën prej rreth 64.9 milionë lekë.
Nga të tria shoqëritë që operojnë në këtë segment të tregut vetëm Sicred pati rritje të primeve të shkruara bruto edhe pse në një shifër modeste, rreth 3.5%.
INSIG dhe Sigal Life Uniqa Group Austria vazhduan me rënien e volumit të primeve përkatësisht me rreth 14% dhe 6.1%. Shifra që kanë ndikuar edhe në humbjen e tregut.
Sigal Life Uniqa Group Austria në fund të muajit qershor 2016 zotëronte rreth 67% të tregut nga rreth 68.2% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa INSIG, e sapoblerë nga Eurosig në fund të 6-mujorit të parë të vitit zinte rreth 7% të tregut.
Për AMF-në vlerësohet e rëndësishme rritja e shkallës së penetrimit, si dhe zgjerimi i produkteve vullnetare, gjë që do të çonte në uljen e peshës së produkteve detyrueshme. Në fund të qershorit sigurimet e “Jetës” përbënin 6.89% ndaj totalit.

Exit mobile version