Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-qershor 2016 u dominua në masën 74.65% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 25.35% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Sipas raportit të AMF-së për sa i përket numrit të transaksioneve, 93.47% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-qershor 2016 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 63.01% dhe 20.21% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 99.41% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Dy grupet e transaksioneve B dhe C
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-qershor 2016, ka pasur një rritje prej 920 milionë lekë ose 33.44% krahasuar me periudhën janar-qershor 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 58.63%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-qershor 2016 ka pasur një rritje prej 670 milionë lekë ose 49.70% krahasuar me periudhën janar-qershor 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 30.56%.
Krahasuar me periudhën janar-qershor 2015, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 1,589 milionë lekë.