Trembet Guardiola

Me të në drejtim tifozët e Manchester City-it ëndrrojnë që skuadra e tyre të triumfojë jo vetëm në Angli, por edhe në Europë, por Pep Guardiola e ka mëse të qartë se misioni për të fituar tituj me Citiziens nuk do të jetë aspak i thjeshtë për të. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Borussias së Dortmundit e vlefshme për turneun veror International Champions Cup, trajneri spanjoll foli për aventurën e tij të deritanishme te Manchester City. Guardiola edhe pse u shpreh optimist nënvizoi, se në Angli ka shumë skuadra të forta dhe për të nuk do të jetë e lehtë të fitojë trofe menjëherë edhe pse katalanasi shpreson shumë që në vitet në vazhdim Manchester City të arrijë shumë suksese me të në drejtim.
Përsa i përket takimit ndaj Borussias së Dortmundit, Pep tha se i njeh mirë verdhezinjtë, pasi gjatë aventurës së tij të Bayerni është përballur në shumë raste me këtë skuadër. “Ata kanë një skuadër shumë të fortë, për të marrë një rezultat të mirë ndaj tyre ne duhet të vrapojmë të luftojmë, të driblojmë kundërshtarët dhe të kemi kontrollin e topit”, theksoi në fjalën e tij trajneri 45-vjeçar. Pep i ka paralajmëruar lojtarët e tij se, nëse nuk janë plotësisht të përgatitur fizikisht para fillimit të Premier Ligës, atëherë rreziku po vjen për ta. “Për mua pesha ka shumë rëndësi. Kemi nevojë që lojtarët të vrapojnë, të luftojnë, të kërcejnë, ta mbajnë topin”, tha Pep. “Kur nuk jeni të përgatitur fizikisht dhe peshën s’e keni në rregull, atëherë rreziku vjen. Lojtarët tanë nuk janë mjaft të shpejt, për këtë arsye dua që ata të jenë plotësisht të përgatitur fizikisht”, tha ai.
Më tej, Guardiola thuri elozhe për futbollistët e tij, ndërsa u shpreh shumë i lumtur që skuadra e tij do të zbresë sërish në fushë, pas sfidës së anuluar ndaj Manchester United për shkak të kushteve të motit.
Në krahun tjetër tek Manchester United, Murinjo e ka nisur serizoisht fazën përgatitore. Nëse futbollistët e Junajtid kanë menduar se nën drejtimin e Murinjos do ta kenë shumë të lehtë, kanë gabuar. Dëshmi e qartë e faktit se, portugezi nuk e ka harruar zakonin e vjetër dhe dëshiron që gjithçka të bëhet ashtu siç ai mendon është stërvitja në orën 6 të mëngjesit pas rikthimit nga Kina.
Mançester Junajtid mbylli fazën përgatitore në Kinë dhe ditën e djeshme mbërriti në Angli pas 5000 miljesh udhëtim. “Djajtë” zbarkuan në Aeroportin e Mançesterit në orën 5 të mëngjesit dhe vetëm 1 orë më vonë të gjithë futbollistët u detyruan të zbrisnin në fushën e lojës për të zhvilluar seancën përgatitore.
Gjithçka ka zgjatur afro 2 orë dhe pas përfundimit të saj futbollistët ishin të rraskapitur. Kjo ndodhi për faktin se Junajtid nuk kishte kryer stërvitje prej dy ditësh për shkak të kushteve të këqija atmosferike në Kinë. Ekipi duhet të zhvillonte një miqësore me Mançester Sitin, por gjithçka u anulua. Disa media aludojnë edhe faktin se, trajnerit nuk i ka pëlqyer aspak humbja e turpshme 4-1 me Dortmundin dhe kërkon t’u bëjë me dije futbollistëve, se Junajtid duhet të ringrihet shumë shpejt në nivelet që i takon dhe kjo arrihet vetëm me punë.

Exit mobile version