Tri alfabetet më të hershme origjinale të shqipes

Janë dy forma burimesh të kohës për dokumentimin e alfabete origjinale të shqipes. Njëra, e para, është përmes vetë dokumenteve origjinale të këtyre alfabeteve që janë të ruajtura nëpër arkiva e koleksione. Të kësaj natyre janë qindra faqe. Dhe tjetra, e dyta, është përmes dëshmive përshkruese të shkruara, si kronika, katalogime e të ngjashme. Të tilla janë dy konkrete

Për alfabetet e gjuhës shqipe është shkruar relativisht shumë. Por alfabetet me shkronja të veçanta të shqipes, të paktën deri tash, kanë zënë më pak hapësirë në sferën e studimeve albanistike dhe në atë të opinionit publik. Ky fenomen karakteristik i zhvillimit të krijimtarisë letrare shqiptare, përfaqëson një dimension partikular në evolucionin kulturor shqiptar. Në këtë tekst trajtojmë këto alfabete në kohën më të hershme të paraqitjes së tyre, duke prekur me aq sa është e mundshme rrethanat që i kanë bërë realitet ato. Fokusi ynë do të jetë te shekulli XVII dhe XVIII, kurse vëmendje e veçantë do t’u kushtohet burimeve të kohës, përfshirë një burimi të ri të zbuluar rishtazi që ndihmon në ndriçimin e origjinës së tyre.

Alfabetet origjinale sipas dokumentimit

Të para vitit 1800, që përbën edhe periudhën që trajtohet këtu, janë këto tre alfabete të posaçme që kanë mbijetuar përmes materialeve dokumentare origjinale nga shekullit XVII dhe XVIII: 1) Alfabeti i Elbasanit, mbase nga shek. XVII, deri tash i mbijetuar vetëm në një dorëshkrim 60 faqesh që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë; 2) Alfabeti i Beratit, më së hershmi nga viti 1731, që ruhet në tre fragmente të vogla prej disa vendeve të Shqipërisë së mesme, në trekëndëshin Fier–Voskopojë–Elbasan; dhe, 3) Alfabeti i Todhrit, më së hershmi nga viti 1780, dokumentuar në rreth 800 faqe materialesh nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX. Deri tash i dëshmuar vetëm në Elbasan.

Siç thamë, të kësaj periudhe, pra para vitit 1800, janë edhe dy dëshmi përshkruese, të cilat nuk e dimë me siguri nëse flasin për alfabetet e mësipërme apo për të tjera, që nuk janë zbuluar deri më sot. Përshkrimet janë me rëndësi, veçanërisht sepse flasin për emra autorësh. Dëshmitë janë: 1) Dëshmia nga Anastas Mëhilli (c. 1675–1725), i cili flet për Kozmain e Durrësit, që para vdekjes, pra para vitit 1702, kishte dhënë kontributin e tij për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronja të veçanta, si një Kadmë i shqiptarëve; 2) Dëshmia nga Georgios Zaviras (1744–1804), i cili në shënimet e tij bibliografike, në një regjistrim të vitit 1761 flet për Gregorin e Durrësit si shpikës të një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, me të cilin e ka përkthyer Dhiatën e Re dhe të Vjetrën. Është paragraf shumë i njohur, e i shumë cituar nga ky autor.

Këtë dëshminë e parë prej Mëhillit, duke qenë më e vjetra, do të tentojmë ta përdorim si çelës në një përqasje tërësore e të tërësishme të fenomenit të paraqitjes së këtyre alfabeteve pikërisht në këtë periudhë, e çka edhe përbën bërthamën e kësaj e këtij teksti. E panjohur për publikun para vitit 2014, dëshmia e Mëhillit, na hap shteg për t’u lëshuar më pas në një trajtim kronologjik të të gjitha burimeve të përmendura më sipër.

Dëshmia e parë përshkruese: Kozmai i Durrësit

Fragmenti i Mëhillit është kumtuar për rrokullinë shqiptare në vitin 2022, dhe ende s’është shoshitur në tërësi. Kjo dromcë informate që do ta paraqesim të plotë, vjen nga një libër i shtypur rreth vitit 1710, por që kishte mbetur i pa botuar (apo pa shpërndarë) në kohën e përpilimit. Vepra (ose të paktën pjesa për Kozmain) mund të jetë vënë në letër dhe para kësaj date. Autori i saj Anastas Mëhilli Maqedonasi (c. 1675–1725) është helenist i shquar i kohës së tij, anëtar i Akademisë së Brandemburgut, të themeluar nga Lajbnici. Ksombla e librit që neve na intereson nuk ka ballinë dhe njihet zakonisht me emrin Udhëpërshkrime, megjithëse për nga përmbajtja duket se është një lloj traktati mbi helenizmin. Mbahet në një kopje të mikrofilmuar në Akademinë e Athinës, ndërkohë që ksombla e vetme origjinale duket se ka humbur. Studiuesi grek, Charalampos Minaoglou, në vitin 2014 i ka botuar të plota në transliterim faqet e mikrofilmuara nga ky libër, ku përfshihet dhe fragmenti për Kozmain. Sakaq, jo të gjitha faqet e librit kanë mbijetuar në mikrofilm; mungojnë pjesët pas faqes 216 dhe ballina, e fleta e titullit. Kjo është arsyeja pse edhe datimi i saktë dhe emri i vëllimit mbeten çështje të hapura.

Pas një kontakti përmes postës elektronike, Minaoglou zemërgjerësisht ka ndarë dy faqet të skanuara që flasin për gjuhën shqipe dhe alfabetin shqip të Kozmait. Në vitin 2022 kemi bërë një përpjekje të parë të përkthimit të paragrafit mbi Kozmain nga ky tekst. Këtu po e japim të plotë dhe më të zgjeruar. Për këtë përkthim falënderojmë përzemërsisht edhe profesorët Dhori Qirjazi, dhe Aristotel Spiro. Fragmenti është si në vijim:

“Populli i shqiptarëve që mjaftohet me përdorimin e shkronjave greke, ende nuk e ka një gjuhë të veten [të shkruar] deri më sot. Megjithatë, janë të aftë për arsim dhe nuk janë plotësisht të privuar prej saj. Ata vetë, kur pyeten me të qeshur ku dreqin janë strukur letrat dhe shkrimet e tyre, përgjigjen njësoj siç përshkruan Lugerio Buzbeu në librin e tij të katërt, ku tregon për turqit në lidhje me skitët në Kostandinopojë: “Si për të thënë që urtësinë, që të gjitha kombet e tjera e kanë të shkruar në libra, ata e kanë përvetësuar brenda vetes, sikur të kenë ngrënë librat e tyre. Prandaj, kur është e nevojshme, ata e nxjerrin atë si në tripod dhe e flasin sikur të ishte nga një burim i lindur.” Ky është një tipar i këndshëm edhe i shqiptarëve tanë. Megjithatë, për të ndrequr këtë mangësi të tyre të fatit, një burrë i ditur, Kosma Qiprioti, i cili gjithashtu njihej si një kujdestar i shenjtë i Dioqezës së Durrësit, është përthelluar shumë. Dhe nëse natyra nuk do të kishte vendosur kufijtë e pleqërisë së gjatë tek ai, ndoshta asgjë nuk do ta kishte penguar që të shfaqej si një Kadmë i shqiptarëve, duke stolisur gjuhën e tyre me shkronjat e zërit harmonik njerëzor. Gjuha e tyre ka një karakter (shkronjash?) shumë të veçantë dhe krejtësisht të ndryshëm nga gjuhët e popujve fqinjë. Ata (që të japim pak shembuj sa për lezet) e quajnë Zotin “zot”. Kështu që edhe “për Zotin” është në gjuhën e tyre “p[ë]r a[t] Zot”. Vuk / Buk është “buka”, uj është “uji”. Një përshëndetje e zakonshme mes tyre është “mirë se [e]rdhe”, që do të thotë “ditë e mbarë”, që ata ia urojnë njëri-tjetrit kur takohen”.

Për jetën kozmopolite të Kozmait të Durrësit, që përmendet këtu si Kadmë i shqiptarëve, që ka zbukuruar gjuhën e tyre me karaktere të veçanta, janë të njohura relativisht shumë të dhëna. Pra, është një figurë e mirënjohur. Ka lindur më 15 qershor 1643 në Tunis me emrin Kostandin Mavrudi. Babanë, Dhimitrin e kishte nga Selaniku, e nënën Elizabetën nga Qipro. Ishte regjistruar në Kolegjin e Shën Thanasit, që administrohej nga Propaganda Fide, në Romë më 11 nëntor 1660, megjithëse e kish kaluar moshën e rregullt të studimeve aty. Pas emërimit si dhjak, më 9 maj 1663, për shkaqe shëndetësore ka ndërprerë studimet në gushtin e vitit vijues më datë 26. Pas një jete dinamike e në lëvizje, duke shërbyer e punuar mes orientit dhe oksidentit — Romë, Qipro, Paris e Tunis — më 25 maj 1682, në moshë 39 vjeçare, është vendosur në Elbasan, ku edhe ka vepruar deri në fund të jetës së tij. Për një kohë të gjatë ka shërbyer si mbikëqyrës (igumen) i manastirit të Shën Gjon Vladimirit, pak kilometra larg qytetit të Elbasanit. E më pas, më 24 janar 1694 ishte emëruar kryepeshkrop i Mitropolisë së Durrësit. Nuk e dimë pse Kozmai kish vendosur të shkonte në Elbasan; duket se afërsia historike e Patriarkanës së Ohrit me kurinë e Romës të ketë qenë faktor. Kozmai pas emërimit si mitropolit i Durrësit, ka vazhduar shërbimin në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, deri në vdekjen e tij me 15 janar 1702. Ka vdekur në Durrës në shtëpinë e një banori lokal, dhe është varrosur në kishën e Shën Gjergjit po në Durrës. Pra cilido qoftë alfabeti që e ka shpikur Kozmai për shqiptarët, duhet të ketë qenë para vitit 1702, kur natyra “kishte vendosur kufijtë e pleqërisë së gjatë tek ai.” Kjo e bën këtë alfabet, pra alfabetin origjinal të Kozmait, më të hershmin që njohim për shqipen deri sot. Cili është ky alfabet?

Alfabeti i Elbasanit dhe Anonimi i Elbasanit

Studiuesi Minaoglu, pra studiuesi që e ka zbuluar fragmentin e Mëhillit, bazuar në faktin se kemi të bëjmë me prezencë në aktivitet në Manastirin e Gjon Vladimirit pranë Elbasanit, mëton se vepra e Kozmait që po përmendet këtu duhet të jetë alfabeti që është përdorur tek Anonimi i Elbasanit. Çka përbën një hipotezë të re për këtë abece. Ky alfabet, që vjen nga lista e atyre tri alfabeteve të ruajtura nga burimet e përmendura, njihet edhe si alfabeti i Elbasanit, dhe është i përdorur në tekstin shqip të kodikut që njihet si Anonimi i Elbasanit. Kjo është një fletore krejt e vogël me gjashtëdhjetë faqe gjithsej, prej të cilave 58 janë me këtë alfabet. Është zbuluar në janar të vitit 1949 mes shënimesh dhe materialesh të mbledhura nga manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Si përmbajtje përbëhet nga copëza të ungjillit të përkthyera shqip me këtë alfabet origjinal prej dyzet shkronjash, duke përfshirë dhe ligaturat. Studimet e para mbi të janë bërë nga Dhimitër Shuteriqi (1949) e Injac Zamputi (1951), të cilët (me ndihmën e kolegëve) edhe e kanë deshifruar tekstin dhe i kanë zbuluar vlerat fonetike të shenjave të alfabetit. Duke qenë dokument i pa datuar e pa nënshkrim autori, i kanë vënë emrin Anonimi i Elbasanit. Në vitet e dekadat në vazhdim janë bërë edhe përpjekjet e para serioze për datimin e dokumentit dhe për gjetjen e autorit, prej të cilave dy hipoteza janë kryesore: ajo e Dhimitër Shuteriqit që përcakton si datë fundin e shekullit XVII dhe si autor një prift elbasanas me emrin Papa Totasi (më vonë Theodhor Bogomili) (më vonë Theodhor Bogumilin), e ku për datimin, por jo edhe për autorin ka pasur pajtim edhe nga Injac Zamputi; dhe e dyta ajo e Mahir Domit që si datë të Anonimit e nxjerr vitin 1761 dhe për autor tipografin voskopojar Grigorin e Durrësit. Pra, këtu kemi përpjekjen e parë të ndërlidhjes së një dëshmie arkivore me dëshminë përshkruese.

Dëshmia e dytë përshkruese: Grigori i Durrësit

Le të ndalemi pak më gjerësisht rreth Grigorit të Durrësit, përkatësisht rreth dëshmisë së dytë përshkruese të një alfabeti të veçantë shqip. Shënimi nga koleksionuesi i hershëm grek Georgios Zaviras (1744–1804), që përmendëm shkurtimisht më lart, në mesin e përmbledhjeve të tij bibliografike, te data 1761 vë Grigorin e Durrësit, si botues të veprave në Voskopojë dhe “përkthyes në shqip të Dhjatës së re dhe të Vjetër me një alfabet që ka shpikur vetë.” Kjo copë informate, e njohur mirë nga studiuesit të paktën nga fillimi i shekullit XX, në tërësi thotë kështu:

“Grigori i Durrësit, nxënës i Joan H., shkroi shërbesën e të Shtatë Shenjtorëve, d.m.th. Kirilit, Klementit, Metodit, dhe Naumit… e cila u botua në Voskopojë; [një traktat] mbi ditët, muajt, dhe vitet; një kanon uratash për Shën Naumin, shkrime të ndryshme; dhe përktheu Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re dhe i shkroi në shkronja shqipe që i shpiku vetë”.

Përderisa të veprat e Grigorit të përmendura këtu nga Zavira janë mirë të dokumentuara dhe ruhen prej secilës nga disa ksombla nëpër biblioteka, arkiva e koleksione (shumica të shtypura në Voskopojë); kjo e fundit për përkthimin e Dhiatave shqip, deri tash mbetet e humbur. Është kjo arsyeja, pse në vitin 1968, Mahir Domi ka propozuar që pikërisht Anonimi i Elbasanit duhet të jetë një fragment i veprës në fjalë — duke qenë se përmbajtja e Anonimit është me copa përkthimesh të lira nga dhjatatkë. Natyrisht Domi s’e ka njohur atëherë dëshminë e Mëhillit, por vetëm këtë të Zavirës. Po ky Grigor, që ishte tipografi kryesor i shtypshkronjës së Voskopojës të paktën nga viti 1731 kur edhe dëshmohet libri më i vjetër i shtypur aty. Grigori, që në vepra nënshkruhej si Grigor Konstandini, e nganjëherë Grigor Voskopojari, nga viti 1748 – të paktën për disa vjet – ka shërbyer si metropolit i Durrësit (njësoj si Kozmai) dhe mëtohet se kishte qëndruar te manastiri i famshëm i Gjon Vladimirit. Megjithatë, nuk duhet zvogëluar faktin se gjurmët e tij në këtë manastir nuk janë gjetur asnjëherë. Një jetëshkrim më të thelluar për të, por që asnjëherë nuk është çëmtuar në aspekt kritik, e ka botuar Dhimitër Shuteriqi në vitin 1987.

Deri vonë, dëshmia e Zaviras, ka qenë e vetmja përshkruese për një alfabet të hershëm origjinal shqip. Bazuar në hipotezën e Domit edhe studiuesi Robert Elsie, në vitin 1995 ka botuar një artikull të detajuar mbi këtë çështje, e ku dëshmia e Zaviras përbën argumentin kryesor të datimit dhe gjetjes së autorit të Anonimit. Viti 1761, është dhënë si një datë reference jo vetëm për alfabetin por edhe për vetë dorëshkrimin e Anonimit të Elbasanit. Por në fakt, po të shohim nga afër fragmentin e Zaviras, shohim se kjo datë është pak e çuditshme në atë vend, ngase asnjëri prej librave që përmenden, e që janë mirë të njohur, nuk e mbajnë këtë datë. Librat e përmendur nga Zavira u takojnë kryesisht viteve 1744–1746: Kurse traktati mbi ditët, e njeh edhe një ribotim në një shtypshkronjë gjermane në vitin 1768. Duke qenë se Zavirasi nuk ka dhënë data të tjera, përveç vitit 1761, mbetet e pa qartë çka nënkuptonte ajo. Duket pak e mundur, ose praktikisht arbitrare që ajo datë të lidhet pikërisht me përkthimin shqip të Grigorit, që është shënuar e fundit në listën veprave të paraqitura. Edhe pse fragmenti i Zaviras, është mirë i njohur për publikun, është e qartë se prej pak studiuesëve është lexuar në mënyrë kritike domethënia e tij.

Në gjurmë të idesë për një alfabetet origjinale të shqipes

Ndërkohë, studimet për alfabetet origjinale të gjuhës shqipe janë të rralla, veçanërisht ato që i trajtojnë që të gjitha brenda një kornize të përbashkët teorike, të cilën kushtimisht mund ta shohim edhe si përqasje tërësore rreth prejardhjes së alfabeteve të veçanta. Duhet dalluar këtu punën e dy autorëve: Dhimitër Shuteriqi dhe Robert Elsie, që mbase janë të vetmit që në një masë janë përthelluar në problematikën e këtij fenomeni në këtë mënyrë në këtë mënyrë. Shpërfaqja e përpjekjeve për krijimin e alfabeteve të veçanta në fund të shekullit XVII dhe veçanërisht përgjatë shekullit XVIII, nuk është përcjellë me ndonjë tekst shpjegues të kohës. Sidoqoftë, një kontekst i përgjithshëm mund të nxirret edhe prej teksteve të tjera, prej anekdotave, e rrëfimeve të kohës që flasin aty–këtu edhe për alfabetin e shqipes. Më indikative është një anekdotë e regjistruar në fund të shekullit XIX në një mes grek, në një fshat afër Janinës, e cila origjinën duhet ta ketë pasur qysh nga shekujt paraprakë për të cilët po flasim. E ka botuar më parë Qirjazi, po e riprodhojmë një pjesë për shkak të temës që trajton: “Kur Zoti filloi të shpërndante shkronjat e alfabetit, letra ende nuk ishte shpikur dhe ata që shkuan për t’i marrë ato shkronja i mbartën në gjethe të gjera lakre dhe u larguan. Të gjithë njerëzit i çuan shkronjat në shtëpi me përkushtim; ndërkohëndërsa, i shkreti shqiptar nuk arriti ta mbartte pakon deri në shtëpi sepse, gjatë rrugës, i erdhi etja dhe duke u përkulur për të pirë ujë, e la gjethe lakrën mënjanë. Një lopë që po kulloste aty afër e nuhati lakrën dhe e hëngri. Shqiptari u kthye në Pallatin e Zotit dhe kërkoi më shumë shkronja. Megjithatë, Zotit i kishin mbetur vetëm shkronja rome. «Nuk do t’i marr ato shkronja, Zot. As po t’i kthesh në ar», tha shqiptari. «Desha të t’i jepja më të mira, por nuk kam të tjera», iu përgjigj Zoti burrit. «Nëse punët janë kështu, atëherë le të jetë. Më mirë të mbetem pa asnjë shkronjë», u përgjigj shqiptari. «Dhe si do të ia dilni ju dhe fisi juaj pa një alfabet?», pyeti Zoti. «Ne do të përdorim të huazuara» vendosi shqiptari dhe u largua. Që atëherë, shqiptarët përdorin dhe jetojnë me shkrimin tonë grek”.

Se kjo anekdotë nuk kishte qenë e izoluar te vetëm ky rrëfimtar, tregon fakti se për të flet edhe Sami Frashëri te Shqipëria ç’ka qenë… në vitin 1899, e më vonë edhe Mitrush Kuteli në një shkrim të tij. Gjurmë të anekdotës mund të vërehen edhe nga mesi i shekullit XVII, në zonën e Zadrimës, në veri të trekëndëshit të alfabeteve që po trajtohet këtu. Misionari katolik Pietro-Antonio di Venezia në një kronikë të botuar në vitin 1688 e sjell një memorie të dekadave më parë (viti 1638) në të cilën një udhëheqës turk, në Blinisht të Zadrimes, thoshte për shqiptarët se të shkretëve “gomari u ka ngrënë shkronjat” (Venezia 1688, 353). Duket se është vegim i së njëjtës anekdotë. Megjithëse këtu bëhet fjalë për një gomar dhe jo një lopë, do besuar së bëhet fjalë për një variacion të të njëjtit tregim. Ideja me kafshën që u ka ngrënë alfabetin shqiptarëve duket se ka qenë e përhapur që nga kjo kohë. Një botim enciklopedik francez nga viti 1697, që kishte për temë orientin, e përmban edhe një shprehjen e përhapur ndër osmanët: ‘Arnaut defteri’ që shpjegohet si ‘libër i shqiptarëve’ apo një mënyrë e mësimit përmendësh për ata që nuk dinë as shkrim as lexim. Megjithëse, nuk flet konkretisht për anekdotën, në këtë vijë mendimi, por në një nivel diskursi më akademik, mund të shihet edhe teksti i Mëhillit për shqiptarët dhe mungesën e alfabetit të tyre.

Një ndërlidhje e gjuhëve me alfabetet dhe popujt duhet të ketë qenë veçanërisht e theksuar në Ballkan, ku gati secili popull, dhe secila gjuhë e kishte alfabetin e vet. Osmanët, kishin alfabetin arab; Grekët, alfabetin grek; Serbet dhe bullgarët alfabetin cirilik e glagolitik; kurse katolikët alfabetin latin. Sidoqoftë, projekti për krijimin e alfabeteve origjinale nuk kishte kapërcyer atë që njihet si milieu ortodoks shqiptar brenda Ballkanit. Në vitin 1783, pasi kishte kaluar kohë në Kalabri, udhëpërshkruesi britanik Henry Swinburne duke shkruar për gjuhën e shqiptarëve që e kishte dëgjuar në ato anë thekson se megjithëse është e veçantë si gjuhë, “mbetet pa një alfabet të vetin, dhe që shumë prej tingujve të saj nuk paraqiten saktësisht prej shkronjave të alfabetit latin ose grek.”

Alfabetet e dëshmuara dhe një përqasje e re

Le t’i eksplorojmë shkurtimisht edhe dy alfabetet e tjera të kësaj periudhe që janë dëshmuar deri tash.

Alfabeti i Beratit: Megjithëse i dëshmuar në vetëm pak fjalë dhe në pak dokumente, është me rëndësi sepse është më i hershmi i datuar (theksi te datuar) deri më tash. Nëse pranohen argumentet e paraqitura së fundmi, data 1731 është më e vonshmja kur ka mundur të sajohet ky alfabet. Ndërkohë, rëndësia e tij rritet edhe nga shtrirja gjeografike në gjithë trekëndëshin FierFier, Elbasan dhe Voskopojë. Ky alfabet, sipas argumenteve që kemi paraqitur në këtë seminar vitin e kaluar, është përdorur në ndonjë formë të tij në: Kodikun e Beratit nga shekulli XVIII; në dy gravura të voskopojarit Nektar Tërpo; dhe në faqen e parë apo ‘shkurtshkresën’ te Anonimi i Elbasanit. Kjo fletore e veçantë, pra, nuk e ka një alfabet, por dy. Alfabeti i Beratit aty është vetëm në ca rreshta emrash në faqen e parë. Si shtrirje kohore kap afërsisht vitet 1731–1798. Shpikësi i këtij alfabeti nuk dihet.

Alfabeti i Todhrit: Më i përhapur në Elbasan ka qenë alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, i njohur edhe si alfabeti i Todhrit. Rreth 800 faqe me këtë alfabet janë të dokumentuara në ndonjë formë nëpër arkiva dhe fonde private. Një pjesë e madhe e tyre janë të ruajtura deri në ditët tona. Dokumenti më i vjetër me këtë alfabet mban datën 1 qershor 1780, në një kodik të familjes Popa. Ndërkohë, përdorimi i alfabetit të Todhrit është dëshmuar deri në vitet 30 të shekullit XX. Alfabeti kryesisht ka qenë në shërbim të komuniteti ortodoks brenda kalasë së Elbasanit; që sipas burimeve të kohës nuk ishte më i madh se 80 familje. Autor i këtij alfabeti pandehet Theodhor Haxhifilipi (v. 1801) i cili ka shërbyer si mësues në shkollën e Elbasanit, dhe ishte predikues fetar. Përveç prej tij alfabeti është përdorur edhe nga Familja Popa, Simon Kazanxhiu, Haxhi Josif Anastasi, Tupe Balla, Petro Shuteriqi, Mimë Stano, Kostë Andoni, Papa Partheni e të tjerë. Mbetet alfabeti origjinal i gjuhës shqipe me përdorimin më të gjerë në popullatë, dhe më të gjatë në hark kohor.

Çka bie në sy menjëherë, është se në rastin e të gjithë këtyre alfabeteve dhe këtyre shpikësve alfabetesh, gjeografikisht, kemi të bëjmë me një mes të njëjtë, e ndoshta edhe me komunitetin e njëjtë të shqiptarëve të krishterë ortodoksë në trekëndëshin Elbasan–Voskopojë–Fier. Një karakteristikë e dytë që bie në sy, është se si duket kemi të bëjmë me tre periudha të ndryshme, por në raport kronologjik me njëra tjetrën. E para: 1678–1702 koha e veprimit të Kozmait; E dyta: 1731–1798 koha e dokumentimit të alfabetit të Beratit, përfshi këtu vitin 1761 nga dëshmia e Zavirës; E treta: 1780 dhe tutje, shumësia e dokumenteve nga Theodhor Haxhifilipi dhe të tjerët që kanë shkruar me alfabetin e tij. Ndërkohë, krahasimi i tri alfabeteve pranë njëri tjetrit, siç shihet nga shembujt, kryesisht nuk tregon për ndonjë përafrim të madh mes tyre, përveç në disa instanca mes alfabetit të Beratit me atë të Todhrit. Ngjashmëria më e madhe vërehet te përdorimi i germës ‘d’ e ‘dh’ te Berati në formë identike për të dhënë ‘g’ e ‘gj’ te Todhri. Pastaj ‘c’ te Berati jep ‘sh’ te Todhri. Në anën tjetër germa ‘ë’ mund të jetë e njëjtë te të dy. Në përgjithësi, logjika e alfabetit të Beratit dhe të Todhrit kanë përafrime. Përderisa alfabeti i Elbasanit është krejt i ndryshëm nga të dy.

Bazuar në dëshmitë e paraqitura, veçanërisht bazuar në renditjen kronologjike të paraqitjes së tyre, Theodhor Haxhifilipit mund të quhet shpikës i alfabetit të mban emrin e tij. Alfabeti i Elbasanit mund të jetë i Kozmait të Durrësit, duke qenë se ky është i dëshmuar më mirë në manastirin e Gjon Vladimirit në Shijon pranë Elbasanit. Kurse i ashtuquajturi alfabet i Beratit, mbetet hipotetikisht e mundur të ketë qenë shpikje e Grigorit të Durrësit.

Drejtimi i koordinatave të reja gjeografike e kohore

Ky është veç një skicim tepër hipotetik në bazë të disa të dhënave dhe burimeve të dy natyrave të ndryshme që u paraqitën këtu. Kjo temë vazhdon të mbetet ende larg prej të qenit e mbyllur, përderisa burimet përshkruese mbesin krejt të pakta — sado që dëshmia e Mëhillit e ka përmirësuar sado pak këtë gjendje. Në anën tjetër, Kozmai, megjithëse përmendet vetëm në instancën e Mëhillit, prej saj na del shpikësi më i hershëm i njohur i një alfabeti origjinal për gjuhën shqipe, me vitin 1702 si terminus ante quem. Përtej vështirësive që shfaqen nga mungesa e dëshmive të qarta, provat kontekstuale skicojnë një skemë që ndërlidh alfabetet origjinale të dëshmuara, me autorët e përmendur nëpër shënimet e kohës. Ravijëzim, sado hipotetik, që gjithsesi teston koordinata të reja kohore dhe gjeografike të historisë së alfabeteve origjinale të gjuhës shqipe. Këto alfabete janë një fenomen karakteristik i historisë së kulturës shqiptare, ngase përfaqësojnë sado me vonesë nevojën për shprehje të veçantisë gjuhësore përmes alfabetit. Në një mes ku popujt identifikoheshin me alfabete, shqiptarët duket se e kanë parë atë si çelës me rëndësi të formësimit të tyre identitar, madje edhe në kohën para zhvillimit modern të identiteteve kombëtare.

Teksti është një formë më e përmbledhur e ligjëratës së mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare më datë 21 gusht 2024

 Ilustrim i Alfabetit të Beratit, Namik Ressuli (1938) Leka, Shkodër

Dy faqe nga kodiku i familjes Popa nga Elbasani, DPA
Exit mobile version