Nga Max Primorac
Në Bosnje kanë nisur ceremonitë përkujtimore mbi 30-vjetorin e fundit luftës, që në vitet 1992-1995 shkaktoi mbi 100.000 të vrarë. Megjithatë, ka shumë pak për të festuar në atë që është shndërruar në një projekt të dështuar shumë miliarda dollarësh për ndërtimin e një kombi në mes të Evropës.
Myslimanët boshnjakë, kroatët katolikë dhe serbët ortodoksë të Bosnje Hercegovinës, mbeten sot po aq të ndarë sa ishin në vitin 1995. Pjesët me shumicë serbe të vendit, kërkojnë vazhdimisht të shkëputen dhe t’i bashkohen Serbisë fqinje. Para luftës, martesat e përziera përbënin 13 për qind të totalit.
Sot, kjo shifër është vetëm 4 për qind. Përpjekjet e të huajve për të imponuar një identitet qytetar boshnjak dhe për të zëvendësuar përkatësitë etno-fetare të kultivuara me shekuj, kanë dështuar.
Në fillim të këtij muaji, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) e bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, e udhëhequr nga një ish-ministër gjerman i bujqësisë, i raportoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “po përjetojmë padyshim krizën më të jashtëzakonshme që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit”.
Megjithatë, thelbi i krizës qëndron tek arkitektura ndërkombëtare të marrëveshjes së paqes, e cila fuqizoi një klikë diplomatësh perëndimorë si arbitra përfundimtarë të të gjitha vendimeve në vend. Për shkak se ata kanë ruajtur me xhelozi pushtetet e tyre, Bosnje Hercegovina nuk gëzon dot sovranitet kombëtar.
Përfaqësuesit e Lartë të njëpasnjëshëm kanë imponuar mbi 900 vendime, duke filluar nga përzgjedhja e simboleve shtetërore tek politika ekonomike e deri tek reforma gjyqësore dhe kushtetuese. Përmes një dekreti, Përfaqësuesi i Lartë ka shkarkuar shumë zyrtarë të zgjedhur, përfshirë presidentë.
Tre nga nëntë vendet në Gjykatën e Lartë janë të rezervuara për juristë të huaj (aktualisht nga Shqipëria, Gjermania dhe Zvicra) të cilët vendosin shpesh në favor të centralizimit të pushtetit në Sarajevë, ku shumica myslimane boshnjake kontrollon shumicën e institucioneve federale.
Përpjekjet e ndërkombëtarëve për ta “centralizuar Bosnjën, në një mënyrë që nuk ishte përcaktuar shprehimisht nga marrëveshjet e paqes” në kurriz të autonomisë së serbëve, janë një dështim politik, duke i kanë dhënë Moskës një mundësi të përhershme për ta destabilizuar rajonin.
Në gjysmën tjetër të vendit, ku boshnjakët myslimanë dhe kroatët katolikë janë në raportin 3 me 1, myslimanët angazhohen në skema të posaçme për të zgjedhur kroatët si dhe përfaqësuesit e pakicave, duke ia mohuar të drejtën e votës bllokut pro-perëndimor të vendit.
Për më tepër, udhëheqësi kroat është kërcënuar me sanksione nga Shtetet e Bashkuara për kundërshtimin e një projekti gazsjellësi që do të menaxhohej nga kompania shtetërore e gazit e udhëhequr nga myslimanët boshnjakë, por i ndërtuar në zona të populluara nga kroatët.
Pra nuk ekziston asnjë hapësirë politike apo qytetare ku mund të vetëqeveriset populli i Bosnje Hercegovinës. Në këto kushte, a është vërtet e habitshme përse marrëdhëniet ndëretnike janë në nivelin më të ulët?
Ajo që nisi fillimisht si “një institucion ndërkombëtar i përkohshëm” për të ndihmuar vendin e ri të “evoluojë në një demokraci paqësore dhe të qëndrueshme”, e ka parë OHR-në të shndërrohet në një protektor evropian “pa kontrolle dhe balanca… dhe pa llogaridhënie qoftë në nivel lokal apo ndërkombëtar”.
Të paktën Protektorati Britanik e la Indinë me institucione të forta ligjore dhe demokratike. Ndërsa Protektorati në Bosnje ka krijuar një grupim OJQ-sh të financuara mirë që përfaqësojnë interesat e bashkësisë ndërkombëtare, dhe jo ato të vendit.
Çdo ndërhyrje ndërkombëtare, po i përkeqëson marrëdhëniet etnike dhe pengon zhvillimin e institucioneve demokratike të Bosnje Hercegovinës. Palët kërkojnë zgjidhjen e ankesave të tyre jo përmes negociatave midis tyre, por jashtë tyre, pasi sovraniteti u takon burokratëve të huaj dhe jo udhëheqësve të tyre të zgjedhur.
Në komentet e tij të fundit në Arabinë Saudite, presidenti amerikan Trump e krahasoi zhvillimin dhe stabilitetin e shteteve të Gjirit me “të ashtuquajturit ndërtues kombesh, të cilët shkatërruan shumë më tepër kombe sesa ndërtuan”. Bosnje Hercegovina, është një nga ato shtete të dështuara.
Presidenti amerikan ka një mundësi historike për t’i dhënë fund kësaj farse. Ndërsa diplomatët evropianë janë fytyra e këtij projektit të dështuar, asnjë nga veprimet e tyre nuk zhvillohet pa miratimin e qartë të qeverisë amerikane.
Kompetencat e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë nuk rrjedhin nga Marrëveshja e Dejtonit, por nga një konsorcium prej 55 vendesh dhe organizatash ndërkombëtare të themeluara menjëherë pas asaj dhe të ndara nga vetë marrëveshja. Ai i dha fuqi OHR-së “të marrë vendime detyruese, sipas gjykimit të tij të nevojshëm”.
Prandaj për këtë nuk ka një bazë të fortë ligjore. Autoritetet me kompetenca të pakufizuara të gjithë kësaj ndërmarrjeje të drejtuar nga të huajt, janë ngritur mbi “shtëpi letrash” juridike. Presidenti Trump mund t’i ofrojë Bosnjës dhe Hercegovinës një fillim të ri duke refuzuar të rinovojë autoritetet e OHR-së dhe duke e lënë atë, së bashku me tre gjyqtarët e huaj të gjykatës supreme, rrjetin e OJQ-ve që e mbështet të bien në koshin e plehrave të historisë.
Një sistem i thjeshtë federal, i bazuar tek 3 popujt përbërës që u rikthen atyre fuqinë sovrane për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, është ajo që do të zvogëlojë tensionet ndëretnike, siç ka ndodhur në vende të tjera të Evropës – mendoni pak për Zvicrën dhe Belgjikën – dhe jo ndërhyrja e huaj.
Tre dekada ndërhyrjeje ndërkombëtare, nuk kanë arritur ta ndihmojnë vendin që “të evoluojë në një demokraci paqësore dhe të qëndrueshme”. Ndoshta duhet t’i lëmë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që ta provojnë vetë.
Shënim: Max Primorac, bashkëpunëtor i Qendrës Margaret Thatcher për Liri në Fondacionin Heritage.