Nga Iva V. GRILLO
Hendeqet gjinore i identifikuam, maniakët e fshatit i vumë me shpatulla pas muri, rrugët i mbushëm me parulla “pikante” feministe, protestuam sic na e donte e bardha zemër, gjinisë tjetër ia treguam vendin…
Veçse harruam të kërkojmë llogari para dyerve të duhura … atje ku bëhen politika mbështetëse, para qeverisë e parlamentit… ku gra te zgjedhura për të dhënë shembuj emancipimi na transformohen pa teklif në adhuruese burrash me pozitë.
Harruam t’u kërkojmë llogari atyre për sistem arsimor më të mirë, rend publik që funksionon, drejtësinë e munguar e luftë kundër mjerimit që ushqen injorancën e dhunën ndaj grave.
Deri sa të trimërohemi per të refuzuar modelin abuzues që na ofrohet për ditë, do të vazhdojmë të jemi një vend ku dominon më i forti, abuzon më i forti, të patronazhon më i forti, krekoset më i forti, grabit gjithcka më i forti… edhe dinjitetin.
Nuk ka emancipim të vajzave e grave në një shoqëri që himnizon bullizmin!
Deri në momentin e “trimërimit”, ne nuk do të jemi gjë tjetër, vecse një shoqëri që vetëkënaqet me protesta që tregojnë me gisht maniakun e vogël të radhës, por që duron pafund maniakët e mëdhenj të pushtetit.
Të trimërohemi si shoqëri, që të fuqizojmë edhe vajzat e gratë! Sepse të drejtat e vajzave e grave janë së pari të drejta të njeriut!
Deri atëherë, do të vazhdojmë të jemi një shoqëri e zhveshur nga cdo e drejtë, e cila mundohet më kot të fshehë lakuriqësine e saj!