Tritan Shehu: Nga dolën këta 600 mijë persona që Rama flet?

Së pari, kjo është një tjetër deklaratë e gënjeshtërt, shumë larg realitetit qoftë dhe thjesht atij numerik të popullsisë sonë.
Në lidhje me këtë vendim zoti Rama duhet të qartësojë se cilat janë shtresat e popullsisë, që përfshihen në këtë shifër prej 600 mijë personash dhe bazën logjike të këtij hapi. Sipas llogaritjes së qeverisë, sa del në këtë mënyrë popullsia e Shqipërisë?
Sidoqoftë, për të sqaruar opinionin mund të shikojmë disa llogaritje të thjeshta:
Në mënyrë aktive, në skemen e sigurimeve shëndetësore janë rreth 1 205 000 vetë. Në mënyrë pasive, në skemë janë rreth 1 400 000 vetë, ku hyjnë pensionistët, nxënësit e studentët, fëmijët, ata në kërkim të punës, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, etj.
Pra, të gjitha këto kategori shkojnë në mbi 2 600 000 persona. Nga sa dimë ne, Shqipëria ka rreth 2 800 000 banorë. Pyetja është nga dolën këta 600 mijë persona që Rama flet?
Nëse popullsia jonë është rritur me një ritëm të tillë galopant në një vit, qeveria duhet ta publikojë një lajm kaq të gëzueshëm!!!
Në fakt, këtu kemi të bëjmë veçse me një spekullim dëmtues të radhës, siç ishte ai i “Shëndetësisë falas” dhe asgjë më tepër.
Ndërsa diferenca prej rreth 200 000 personash përbëhet kryesisht nga të vetëpunësuarit, që duhet të bëhen pjesë e skemës aktive, ose nga ata që punojnë në të “zezë” dhe që duhen formalizuar.
Pra vendimi i djeshëm jo vetëm që është një spekullim, por gjithashtu nxit aktivitetin informal si dhe bën që edhe personat që kontribuojnë në këtë skemë të fillojnë të mos e bëjnë këtë, duke futur kështu të gjithë sistemin në kolaps.
Një vendim ky, që duke kërkuar të maskoje dështimin e mashtrimit “Shëndetësi falas”, mund të shtyje të gjithë skemën tonë të financimit shëndetësor drejt humnerës. Por fatmirësisht zgjedhjet e reja janë afër!

Artikulli paraprakGjobëvëniet, zbulohen ushtarët e tjerë të Shullazit, gati arrestimet
Artikulli tjetërDetyrimet që duhet të tregojë Fredi