Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka mbështetur fort peticionin e mjekëve specializantë drejtuar qeverisë ku i kërkojnë kërkesa minimale për të punuar në këtë profesion.
Shehu, që e ka bërë publik këtë peticion, gjykon se ““peticioni i mjekëve specializantë është i qartë dhe i drejtë, në kërkesat e tij minimale”.
“Rreth gjysma e mjekëve specializantë, që realizojnë një volum shumë të madh pune klinike në spitalet ku punojnë, janë me “kuota të lira”, pra pa asnjë pagesë – vëren ai.- Të tjeret marrin një pagesë minimale prej 40000 lekësh në muaj.
Ndërkaq u paguhet vetëm një numër i vogël shërbimi të rojeve, të cilat do të bënin kolaps pa ata. Dhe në mënyrën më skandaloze në shumicën dërrmuese nuk kanë as të drejtën e të ushqyerit apo të dhomave të pushimit gjatë shërbimit të rojes, elemente këto njerëzore, por dhe thelbësore.
Dhe në fund për komedi, duhet t’i paguajnë një kompanie private të kontraktuar me PPP, edhe për parkimin e makinave të tyre brenda territorit të spitalit.
Pa dashur të shtoj edhe një mijë arsye të tjera madhore, që po detyrojnë mjekët tanë të largohen nga vendi duke arritur nivelin prej 1 mjek për 1000 banorë, nivel ky afër atij afrikano qëndror, mendoj se të mësipërmet mjaftojnë për të kuptuar realitetin e shërbimit tonë shëndetësor dhe pse ai po braktiset”.