Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama, lidhur me kanabizimin e vendit ku shkruan se në tre vjet Shqipëria u kthye në një “Republikë kanabisi”.
“Kryeministri e të tjerë rreth tij po brohorasin sot: ‘Në Shqipëri nuk po kultivohet më kanabis’!!! Shpresoj që kjo të jetë e vërtetë, uroj me gjithë zemër për këtë lajm shumë të mirë.
Por nuk mund të mos të pyes: Kur ishte kaq e lehtë për t’u bllokuar kjo veprimtari kriminale, pse u lejua që Shqipëria për tri vite të kthehej në një ‘Republikë kanabisi’!? Ky kryeministër e këto struktura shtetërore ishin edhe para tri viteve, kur kanabisi mbuloi vendin, duke e kthyer atë, ashtu si na quajtën ‘Kolumbia e Europës’. Duhet të jemi të sinqertë me opinionin: Kjo nuk mund të ndodhte pa implikimin e shtetit, i cili sot e ‘korrigjoi’ në disa muaj.
Ishin strukturat e tij që e stimuluan këtë kriminalitet, ofiqarët e tij që u morën ‘haraçin’ fshatarëve, të cilët tashmë janë zhytur thellë në ‘gropa’ financiare. Ishin grupet kriminale të ‘licencuara’ nga shtetarët, që me armë në dorë terrorizonin njerëzit, vigjelonin platacionet me drogë, e transportonin atë nën hundën e atyre që duhej t’i ndalonin, ndanin fitimet me ‘shefat’ e ‘bosët’. Cili nga këta keqbërës të vërtetë është ndaluar?
Në qoftë se do më përmendet ndonjë emër fshatari gjynahqar do t’ju përgjigjem se kjo është tragjiko-komike! Dhe diçka së fundmi: Ku janë ‘malet’ para të fituara nga kriminelët e shtetarët? E di që pjesa e atyre e ‘luanit’ është depozituar diku, një pjesë pret për t’u investuar në veprimtari të tjera kriminale, por pa dyshim një pjesë e madhe u ‘shpërnda’ në këtë fushatë elektorale. Kjo është e vërteta e hidhur e kësaj historie tragjike, për të cilën unë kam shkruar e folur i pari, që prej disa vitesh”.