Tritol administratorit që po ndërton fabrikën e mbetjeve spitalore në Shijak

Pak ditë pas protestës së banorëve të Shijakut kundër ndërtimit të një inceneratori të përpunimit të mbetjeve spitalore, një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në pronën e administratorit që po ndërton inceneratorin. Sipas policisë, tritoli është vendour në shkallët e jashtme të klinikës dentare në pronësi të A.L., 33 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Petrit Lala” në Shijak. Për pasojë janë thyer xhamat e këtij biznesi dhe dëmtimet kanë qenë të lehta, për shkak se sasia e tritolit ishte e vogël dhe ishte vendosur pak në distancë me portën.
Ndërkohë, bëhet e ditur se administratori që po ndërton inceneratorin në Shijak është dhunuar. Persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar Arlind Lalën duke i shkaktuar dëmtime në nofull.
Burime nga policia tregojnë se, Arlin Llalla është rrahur nga disa persona të paidentifikuar. Ai ka marrë plagë në fytyrë dhe ndodhet i shtruar në spital në Tiranë.
Pesë ditë më parë, banorët e Shijakut u ngritën në protestë kundër funksionimit të kësaj fabrike, pasi sipas tyre, ajo shkakton ndotje të madhe mjedisore duke i vënë në rrezik dhe duke shkaktuar probleme të rënda shëndetësore. Nuk dihet nëse vënia e eksplozivit është një paralajmërim për pronarin e firmës në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë, ndërkohë që hetimet vijojnë.
Banorët u shprehën kundër ndërtimit të këtij impianti, duke e akuzuar firmën se po merr përsipër asgjësimin e mbetjeve të konsideruara të dëmshme ende pa krijuar teknologjinë e duhur. “Ndotja e ajrit, gazrat ku do të çlirohen? Do të çlirohen në ambient. Po ndeze zjarr për të djegur barishte po ndotet ajri”, u shpreh një banore. Një banor tha se, “shtëpia ime është 50 metra, ja ku është. Jam kundër kësaj nuk diskutohet, nuk ikim nga këtej po nuk u rregullua ky”.
Por përfaqësues të firmës gjatë marrjes në pyetje të policisë kanë deklaruar se disponojnë një leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe se kanë kapacitetet e duhura për këtë impiant.
Vetë Bashkia e Shijakut, e cila nuk e ka dhënë miratimin për këtë impiant thotë se, kompania e ka nisur aktivitetin në mënyrë të paligjshme. “Është një leje 32b që quhet, e cila është dhënë për autoklavën, asgjësimin e një pjese të mbetjeve spitalore dhe tashmë ka dashur që të marrë një leje të dytë për incenerim të mbetjeve dhe janë totalisht jashtë çdo lloj norme”, tha Valbona Mazerka.
Gjithsesi sipas ligjit bashkia duhet të thotë fjalën e saj nëse miraton apo jo ndërtimin e një impianti përpunimesh mbetjesh urbane që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Pritet fundi i hetimeve për të zbardhur çështjen në fjalë.

Artikulli paraprakFrika nga një përçarje e Evropës
Artikulli tjetërBanorët e Mëmëlishtit në protestë, u rrezikohen banesat nga minat