Një sasi tritoli i është vendosur makinës së një 42-vjeçari në Vlorë paraditen e djeshme, i cili shpëtoi fatmirësisht bashkë me vajzën e tij të mitur. Ka qenë vet pronari i mjetit që konstatoi pakon e dyshimtë, kur doli nga shtëpia për të çuar vajzën në shkollë. Bëhet e ditur se, Bashkim Brahimaj po dërgonte vajzën e tij në shkollë, kur pa një pako të dyshimtë poshtë makinës së tij. Ai ka njoftuar menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendngjarje bashkë me forcat xheniere dhe çmontuan pakon e dyshimtë.
Policia bëri të ditur se, në pjesën e poshtme të makinës “Benz” furoistradë me targa AA 952 NA të 44-vjeçarit Bashkim Brahimaj ishte vendosur një sasi prej 200 gram tritoli. Makina ishte e parkuar poshtë pallatit, kur Brahimaj ka vënë re tritolin.
44-vjeçari Brahimaj mësohet të ketë thënë se, kishte planifikuar të udhëtonte me një makinë tjetër, por ka konstatuar se makina tjetër e kishte gomën e çarë. Më pas, Brahimaj ka thënë se ka shkuar ka parë kamerat e sigurisë së pallatit, ku aty ka vënë re se në makinën me gomë të çarë ka pasur dy persona. Brahimaj ka dëshmuar se kur ka parë që në makinën tjetër kishte dy persona, ka shkuar dhe ka kontrolluar makinën tjetër, ku edhe ka konstatuar sasinë e tritolit dhe më pas ka njoftuar policinë.
Bashkim Brahimaj është vëllai i Isuf Brahimajt, i cili është vrarë në vitin 2014. Bashkim Brahimajt i është vendosur edhe dy herë të tjera tritol poshtë makinës, por ka mundur të shpëtojë.
Hetuesit janë duke punuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje, që paraprakisht dyshohet se ka lidhje me trafikun e drogës. Kjo është ngjarja e dytë kriminale që ndodh në Vlorë në një hark të shkurtër kohor.