Tritol makinës së nëndrejtorit të ALUIZNI-t, tronditet Durrësi

Rikthehen atentatet me tritol. Një automjet është hedhur në erë pasditen e djeshme në qendër të qytetit të Durrësit, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15 në rrugën “Taulantia” të qytetit bregdetar pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Bëhet e ditur se, një sasi tritoli ka shpërthyer në mjetin tip “Land Rover” me targa AA 780 OL në pronësi të shtetasit Gerti Aleksi, nëndrejtor i ALUIZNI-t në Durrës. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe më pas kanë parë një makinë të përfshirë nga flakët. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur persona të lënduar, pasi mjeti ishte i parkuar dhe në makinë nuk kishte njeri. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar frikë e panik tek qytetarët.
Ngjarja ka ndodhur në Sheshin “Taulantia” që ndodhet në zemër të Durrësit dhe është një nga vendet më të frekuentuara nga qytetarët. Qytetarët sapo kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm janë përfshirë nga frika dhe paniku. Sapo është dëgjuar shpërthimi, menjëherë Sheshi “Taulantia” është boshatisur nga njerëzit.

Shënjestra e atentatit, lidhje fisnore me Dakon
Burimet nga qyteti bregdetar bënë të ditur se, shënjestra e atentatit me tritol ka qenë nëndrejtori i ALUIZNI-t, Gert Aleksi, i cili ka lidhje fisnore me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Shpërthimi ndodhi në Shëtitoren “Taulantia” dhe dyshohet se ishte një paralajmërim për zyrtarin e lartë të ALUIZNI-t.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe policia e qytetit bregdetar. Nga hetimet paraprake të policisë arrihet në konkluzionin se në mjet ishte vendosur një sasi e vogël lënde eksplozive në pjesën e përparme të makinës. “Rreth orës 18:15, në lagjen Nr.1 dyshohet se kanë vendosur një sasi të vogël lënde eksplozive në pjesën e përparme të  mjetit tip “Fuoristradë” me targa AA 780 OL, në pronësi të shtetasit A.S. banues në Durrës, pa precedentë penalë. Mjeti ka qenë i parkuar. Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Në vendngjarje ndodhen efektivat e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.

Hetimet
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit me tritol të makinës së nëndrejtorit të ALUIZNI-t të Durrësit, ndërsa në vendngjarje ka shkuar menjëherë një grup hetimor. Nisur nga sasia e lëndës plasëse të vendosur në mjet dhe dëmeve të shkaktuara, dyshohet se bëhet fjalë për një paralajmërim për pronarin e makinës. Vlen të theksohet se ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit dhe në një orar, kur prania e qytetarëve në rrugë është më e madhe. Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka sekuestruar të gjitha kamerat e bizneseve aty pranë për të hedhur dritë mbi personin/at që vendosën lëndën eksplozive.
Më 20 shtator të këtij viti u denoncua plagosja e drejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi. Denoncimi u bë nga opozita, ku sipas saj ngjarja kishte ndodhur para datës 20 shtator por ishte mbajtur e fshehtë nga policia. Sipas opozitës, ngjarja kishte ndodhur në një lokal në qytetin e Durrësit, ndërsa autor i ngjarjes ishte shtetasi me inicialet G.XH. Sipas opozitës, plagosja kishte ndodhur për pazare legalizmiesh.

Nëndrejtori merret në pyetje
Gerti Aleksi, nëndrejtori i ALUIZNI-t në Durrës, i cili ishte shënjestra e një atentati me tritol është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Mësohet se Aleksi është shprehur, se nuk ka konflikte me asnjë person. Burime nga grupi hetimor thanë se poshtë makinës së tij tip “Range Rover” ishte vendosur një sasi eksplozivi prej 50 gramësh.
Automjeti ishte parkuar poshtë shtëpisë, por në momentin e shpërthimit nëndrejtori i ALUIZNI-t dhe njeri i afërt me kryebashkiakun Vangjush Dako, nuk ndodhej aty. Ndoshta shpërthimi ishte një paralajmërim. Gjithsesi, grupi hetimor po vijon hetimet për të zbuluar motivet e atentatit dhe kush qëndron pas tij.

R.POLISI

Artikulli paraprakGjykata lë të lirë 4 tregtarët e duhanit, pezullon shefin e krimit
Artikulli tjetërRama pyetet në New York për korrupsion, mafian e drogën