Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Fushë-Krujës pasditen e djeshme, duke krijuar frikë dhe panik tek banorët. Bëhet e ditur se, një sasi lënde eksplozivi ka shpërthyer në qendër të qytetit nga persona të paidentifikuar. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar pesë mjete që ndodheshin të parkuara pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 17:45, para Shtëpisë së Oficerëve në Fushë-Krujë. Fatmirësisht aty pranë nuk ka patuar njerëz, në momentin kur ndodhi shpërthimi. Nuk dihen shkaqet e vebndosjes së tritolit, por dyshohet se gjithaçka ka ndodhur pas përplasjeve për drogën
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, por pa mundur të kapin dhe arrestojnë autorët. Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45, në trotuar në lagjen “Punëtori” në Fushë-Krujë. Policia thotë se është hedhur një sasi e vogël eksplozivi dhe për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale, duke u krisur xhamat e tre mjeteve të parkuara në anë të rrugës ku ka shpërthyer lënda eksplozive. Në vendngjarje ndodhen Efektivat e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, kanë qenë tre persona që kanë hedhur tritolin mbi automjetet e parkuara dhe janë larguar me vrap. Sipas tyre, nga shpërthimi janë dëmtuar 5 makina të tipit: BMW, Fuoristradë, Benz, Peugeot, dhe një Golf. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka shkaktuar panik tek qytetarët, ndërsa ende nuk dihen motivet e ngjarjes.
Ky është atentati i dytë me tritol brenda 24 orëve, ndërsa policia nuk ka mundur në asnjë rast të zbulojë autorët. Mbrëmjen e të hënës iu vendos një sasi eksplozivi makinës së nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi. Makina që u hodh në erë me tritol ishte e bashkëshortes së nëndrejtorit, por ajo përdorej nga ai. Burime nga grupi hetimor thanë se, hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë përqendruar në dy drejtime, konflikte të krijuara nga pozicioni i tij i punës, apo për probleme personale të vetë Aleksit.
Shpërthimi në Durrës pa autorë
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga shpërthimi i tritolit në makinën e nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, ende nuk ka asnjë të arrestuar nga policia. Vetë Gerti Aleksi mësohet të ketë pohuar se nuk ka pasur probleme dhe konflikte me persona të tjerë dhe nuk e ka idenë se kush mund të fshihet pas sulmit me lëndë plasëse. Ai ka pohuar se nuk ka pasur kërcënim deri tani. Gerti Aleksi është emëruar në këtë detyrë që prej vitit 2013.
Automjeti në pronësi të familjarëve të tij ka shpërthyer teksa ndodhej i parkuar në lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar, në Sheshin “Taulantia”. Në pjesën e përparme të makinës tip “Land Rover”, me targa AA780 OL, ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi, i cili ka shpërthyer rreth orës 18:15. Pavarësisht se zona ku ishte parkuar makina kishte lëvizje të dendura të qytetarëve, fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht tek automjeti. Ndërsa paniku ka qenë i madh ndër kalimtarët dhe banorët e zonës përreth.
Dy herë është marrë në pyetje nëndrejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi, pasi mjeti që ai perdorte u hodh në erë me 50 gr tritol. Në të dyja seancat policore mësohet se, Aleksi ka mohuar konfliktet me persona të tjerë, qoftë për shkak të punës qoftë personale. Në polici janë shoqëruar për t’u pyetur edhe shumë punonjës të ALUIZNI-t. Kryesisht ata janë pyetur për shefin e tyre Aleksin, rreth punës apo situatave që ai mund të kishte ditët e fundit. Nuk dihet saktësisht çfarë kanë folur zyrtarët, por më pas janë lënë të lirë.
Dako dhe Gjuzi me urgjencë në vendin ku shpërtheu makina e nëndrejtorit
Shpërthimi me tritol i automjetit të nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Gert Aleksit, ka dërguar në vendngjarje kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe të ALUIZNI-t Flamur Gjuzi. Pak minuta pas shpërthimit, Gert Aleksi ka dalë nga banesa dhe i ka konfirmuar policisë në vendngjarje se automjeti i shpërthyer është i tij.
Pas konfirmimit, nuk dihet se për çfarë motive apo e ndikuar nga persona të tjerë, policia e mbajti të fshehtë dhe për asnjë moment nuk përmendi emrin e nëndrejtorit të ALUIZNI-t, i cili njihet edhe si njeri i afërt gjaku me kreun e Bashkisë Vangjush Dako.
Kryebashkiaku, vetëm pak minuta më vonë së bashku me drejtorin e ALUIZNI-t Flamur Gjuzi, janë parë në vendngjarje nga banorë të lagjes dhe më pas të tre janë ulur në një prej lokaleve pranë zonës së shpërthimit. Mësohet se në polici Gert Aleksi ka thënë se nuk ka asnjë konflikt personal me persona të tjerë, çka shton dyshimet se shpërthimi i makinës së tij me tritol mund të jetë bërë për shkak të detyrës që ai mban.
50 gramë tritol artizanal janë përdor nga 2 të rinj për shpërthimin e mjetit, bënë me dije burime nga grupi hetimor. Dy personat e moshës së re, janë parë nga kamera e sigurisë në këtë lagje, të cilët hedhin në pjesën e përparme lëndën plasëse e më pas largohen në errësirën e lagjes numër 1. Grupi hetimor po punon për të zbardhur identitetin e tyre dhe janë shoqëruar në polici 20 persona me precedentë penalë e po merren në pyetje.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky ka qenë një kërcënim ndaj nëndrejtorit të legalizimeve, se sa një atentat i mirëfilltë ndaj tij. Burimet saktësojnë se edhe nëse në mjet do të kishte persona nuk do të kishin pësuar lëndime, sepse sasia e tritolit e përdorur ishte e vogël. Pista kryesore e hetimeve mbetet ajo për shkak të detyrës, pasi Aleksi nuk figuron person me precedentë apo të ketë konflikte personale me persona të tjerë.
R.POLISI