Detaje të reja dali nga hetimet lidhur me shpërthimin e ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, në katin e 9-të të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”.
Policia ka vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron, por ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.
Gazetari Ilgi Çelmeta raporton se mbetjeve të dronit të shpërthyer do t’i bëhet ekspertiva për të rënë në gjurmët e autorëve.
Në dëshminë para hetuesve, pronari i banesës ka pohuar se apartamentin ia kishte dhën më qira një çifti, ndërsa ai vetë nuk kishte asnjë konflikt.
Ndërsa për shtetasen me iniciale E.A. që kishte marrë apartamentin me qira që në fund të korrikut të këtij viti ende nuk është marrë në pyetje, pasi policia nuk ka mundur ta gjejë.
KËRKIMET PËR SHËNJESTRËN
Grupi hetimor që ka marrë në duar hetimet për atentatin e frikshëm, për nga mekanizmi që kanë përdorur autorët për ta kryer, kanë nisur kërkimet për të gjetur personin e dyshuar si shënjestër.
Ata janë të bindur që Benard Sinomati ka qenë në banesë në momentin e shpërthimit, por ai ka mundur të largohet para se sa të vinte policia në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë e Vlorës kanë nisur kërkimet për të siguruar një dëshmi të Sinomatit, dëshmi të cilën ende nuk kanë mundur ta dokumentojnë.
Sipas hetimeve, është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë me anë të dokumentacionit. I zoti i banesës ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti, por në fakt apartamenti i sulmuar me tritol është në emrin e E.A., gruas që sipas të dhënave është më origjinë nga Korça.
Policia po e kërkon Sinomatin për të mësuar më shumë në lidhje me problemet që mund të kenë ai dhe familja e tij me persona të tjerë, ndërkohë që policia dhe prokuroria e Vlorës ende nuk kanë zbardhur atentatin e bujshëm që i mori jetën nipit të tij rreth një vit më parë.
Dyshimet e grupit hetimor ranë pikërisht mbi Benard Sinomati që ishte shënjestër e atij atentati, por në fakt një plumb snajperi i mori jetën Gëzim Sinomatit, djalit të vëllait të tij, i cili kishte mbërritur në Vlorë për të kaluar pak ditë me nënën e tij.
Benard Sinomati është objekt i atentateve disa herë në qytetin e Vlorës, por kësaj radhe grupi hetimor ka dyshime që rivalët e kanë gjurmuar edhe në Tiranë, duke tentuar ta eliminojnë me një metodë mjaft të rrezikshëm, që mund të kthehet edhe në një precedent po kaq të rrezikshëm për akte të ngjashme.