Unai Emery, trajner i PSG-së ka evakuar çdo ide të keqtrajtimit të sulmuesit të tij brazilian. Trajneri i PSG-së ka qenë, megjithatë, në pyetje në lidhje me situatën e disa prej lojtarëve të tij, duke filluar me Neymar, i cili ankohej, sipas mediave braziliane, për gjatësinë e seancave video. “Në sesionet e punës me video, ai është shumë i vëmendshëm, siguroi trajneri. Të gjithë lojtarët e dinë se videoja është e rëndësishme”. Emery fshiu idenë e shqetësimit të Neymar, i cili shkoi për të vizituar ish-miqtë e tij te Barça, në fundjavë. “Neymar do të triumfojë këtu, vazhdon ai. Kur nënshkroi me PSG-në, e bëri këtë me dëshirën dhe motivimin për të punuar së bashku me ne. Ai ka aftësitë, talentin individual në një skuadër që ka shumë talent, motivim dhe ambicie për t’u rritur”.
Emery, gjithashtu, komentoi për situatën e Kylian Mbappé, shfaqjet e fundit të të cilit ishin zhgënjyese. “Kam bërë një analizë të përgjithshme të dhjetë lojërave që ka luajtur. Është një performancë e shkëlqyer. Ne nuk do të ndalemi, sepse një ndeshje nuk ka shkuar në mënyrën që kemi dashur. Në shumë lojëra, ai ka treguar një nivel të madh. Kylian është gati të luajë në çdo ndeshje. Fizikisht dhe mentalisht, ai është mirë. Kam folur me të, është një përvojë e re”, u shpreh Emery.
Luis Figo beson se PSG-ja kërkon të vihet re pas blerjes së verës së klubit (Neymar) nga Barcelona. Ish-ylli i Barcelonës, Real Madridit dhe Portugalisë foli për brazilianin, i cili u bashkua me gjigantët e Ligue 1 këtë verë për një shifër rekord prej 222 milionë eurosh. “Neymar është një nga lojtarët më të mirë në botë, tha Figo për “Goal”. Ai sjell më shumë cilësi në skuadrën parisiene dhe kjo e bën PSG-në një ekip shumë më të fortë. Sa i përket dukshmërisë, ai tërheq shumë më tepër vëmendjen e njerëzve”.
Figo pranon se PSG-ja, në pronësi të sheikëve nga Katari, është e vështirë të konkurrohet në aspektin e muskujve financiarë, por për sa kohë që klubi nuk shkel ndonjë rregull të “fair-play financiar”, ka pak që mund të bëhet për të ndaluar shpenzimet. “PSG-ja ka një potencial të madh financiar. Është e vështirë për klubet e tjera, për të luftuar në këtë lloj të situatës, por nëse PSG-ja respekton normat dhe rregullat e FFP, nuk ka asgjë për të thënë”, ka nënvizuar Figo. UEFA, megjithatë, ka hapur një hetim mbi shpenzimet e PSG-së.