Tronditet futbolli spanjoll, në pranga Presidenti i Federatës

FILE PHOTO: Spain's Football Federation President Angel Maria Villar talks to journalists after signing a cooperation agreement for a joint bid for the 2018 World Cup with Portugal's Football Federation in Lisbon January 19, 2009. REUTERS/Nacho Doce/File photo

Angel Maria Villar, Presidenti i Federates spanjolle të Futbollit është arrestuar rreth orës 08:00, mëngjesin e së martës në Madrid gjatë një operacioni antikorrupsion. Akuzat që rëndojnë mbi të janë ato të shpërdorimit të fondeve, si dhe falsifikim dokumentesh që lidhen me organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Në pranga kanë përfunduar një grup prej 10 personash, përfshi Gorkan, djalin e Presidentit Villar njëherazi ish-drejtor i Përgjithshëm i Conmebol, si dhe Juan Padron, zëvendëspresidenti për çështjet financiare në Federatën spanjolle.
Deri më tani nuk ka patur asnjë prononcim zyrtar nga ana e avokatit mbrojtës të Presidentit Villar, ndërkohë që vijojnë hetimet. Villar një ish-futbollist me karrierë ndërkombëtare, qëndron në krye të Federatës spanjolle të Futbollit që prej vitit 1988, duke e rinovuar mandatin e tij në zgjedhjet e shkuara të muajit maj. Nën drejtimin e tij kombëtarja spanjolle e futbollit numëron dy trofe të Kampionatit Europian, si dhe Kupën e Botës 2010.
Njëherazi prej 29 vitesh ai ka qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Pozicioni i tij është delikat në këto hetime pasi ai është një element mjaft i rëndësishëm në themelet e futbollit botëror. Prej vitit 1992 është zëvendëspresidenti i UEFA-s dhe nga viti 2000 zëvendëspresidenti i FIFA-s. Arrestimi i tij është një mesazh i qartë dhe direkt se ende shumë çështje që lidhen me drejtues të tjerë të futbollit botëror të dekadave të fundit, vijojnë të hetohen. Villar gjithashtu ka mbajtur edhe postin e presidentit të përkohshëm të UEFA-s në kohën kur zhvilloheshin hetimet rreth Michel Platini.

Exit mobile version