Borussia e Dortmundit barazoi 2-2 me Realin e Madridit në “Santiago Bernabeu”, duke ruajtur kryesimin në Grupin F. Verdhezinjtë zhvilluan një pjesë të dytë fantastike, duke rikuperuar dy gola të shënuar nga Benzema në minutat 28 dhe 53. Aubameyang ktheu në lojë Dortmundin në minutën e 61-të, ndërsa Reus 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi golin që mbajti gjermanët në vendin e parë.
Ndërkaq, Legia Varshavë mundi 1-0 Sporting Lisbonën dhe në mënyrë të paparashikuar siguroi kualifikimin në Ligën e Europës edhe pse ka një golavarazh të përgjithshëm -15.
Në Grupin F, Bayer Leverkusen mposhti 3-0 Monacon, duke siguruar vendin e dytë me një pikë më pak se skuadra nga principata. Për Aspirinat shënuan Yurchenko dhe Brandt, ndërsa në të 82 portieri De Santis ishte i pafat pas 11-metërshit të Wendell, me topin që pas traversës iu përplas në shpinë për të përfunduar më pas në rrjetë. Në takimin tjetër të këtij grupi Tottenhami fitoi 3-1 me CSKA e Moskës dhe kualifikohet në Europa Leage.
Leicester City zhvilloi një ndeshje të dobët në transfertë me Porton, duke humbur me rezultatin e thellë 5-0. Dy herë Andre Silva, Corona, Brahimi dhe Jota ishin autorët e golave për portugezët, që kualifikohen si të dytët.
Vendi i tretë për Kopenhagen, që mposhti Club Brugge 2-0 me autigolin e Mechelle dhe finalizimin e Jorgensen. Sevillas i mjaftoi barazimi 0-0 me Lyonin, për të ruajtur vendin e dytë, me francezët që do të vijojnë aventurën në Europa League, ndërsa Juventusi kaloi lehtësisht 2-0 Dinamon e Zagrebit, me gola të Higuain dhe Ruganit.
Humbja e Dinamos së Zagrebit 2-0 kundër Juventusit ishte lajm i mirë edhe për… Levskin e Sofies. Deri mbrëmë, bullgarët ishin ekipi më i dobët që kishte luajtur ndonjëherë në grupet e Ligës së Kampioneve, pasi kishin shënuar vetëm një gol më 2006-n.
Por këtë rekord e theu formacioni nga kryeqyteti kroat, që e mbylli Grupin H pa asnjë pikë dhe për më tepër, pa e çuar asnjëherë topin në rrjetën kundërshtare.
Pasi eliminoi Dinamon e Tbilist dhe Salzburgun, skuadra nga Zagrebi regjistroi humbje të njëpasnjëshme duke pësuar 15 gola: 3-0 me Lionin, 4-0 me Juventusin, 1-0 dhe 4-0 me Seviljen, 1-0 me Lionin dhe 2-0 me Juventusin.
E sikur të mos mjaftonte kjo, dje kanë menduar edhe tifozët që ta njollosin më tepër imazhin e Dinamos. Dy grupime, prej diçka më shumë se 1000 vetash, kishin udhëtuar në Torino. Por pasi policia u shmangu tentativën për t’u përleshur me rivalët juventinë, papritur dy grupet e mbështetësve kroatë u përleshën mes tyre. Forcat e rendit arritën ta qetësojnë situatën me gaz lotsjellës. Ndërkohë, Dinamos së Zagrebit nuk po i ecin punët mbarë as në kampionat. Pas 11 titujve radhazi, kryeqytetasit sivjet e shohin veten gjashtë pikë pas Rijekës në renditjen e Ligës së Parë.